Dosja e Prokurorisë: Ish-Drejtori i Financave në Kllokot i keqpërdori mbi 10 mijë euro

Ish-Drejtori  për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikolla Nojkiq, po akuzohet se vodhi mbi 10 mijë euro të taksave të komunës.

Nojkiq ishte paraparë që sot të dilte para Gjykatës së Gjilanit për tu përballur me këtë aktakuzë mirëpo i njëjti nuk erdhi në gjykatë.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij.

Sipas Prokurorisë, Nikola Nojkiq nga gushti i vitit 2015 e deri më 2016, në cilësinë e Drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Sipas aktakuzës, Nojkiq  pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Tutje sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Në fillim të seancës kryetari i trupi gjykues, Zyhdi Haziri njoftoi të pranishmit se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme gjyqësore.

“I akuzuari Nikolla Nojkiq dhe mbrojtësi i tij, Avokati Ymer Huruglica edhe pse kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt nuk i janë përgjigjur Gjykatës. Avokati ka menduar që kinse seanca e sotme është e caktuar për datën 10 janar e jo datën 10 dhjetor, andaj i ka thënë edhe të akuzuarit që seanca është në janar”, tha Gjykatësi Haziri.

Tutje gjykatësi Haziri tha se të akuzuarit për seancën e radhës do t’i lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Seanca e sotme u shty për muajin janar 2020.