Dosja e Prokurorisë: Imamit të Xhamisë në Lupç iu shkaktuan plagë që ia rrezikojnë jetën

Më 21 korrik të këtij viti, Zeqir Berisha, imami i Xhamisë në fshatin Lupç të Podujevës është sulmuar nga tre persona të dyshuar.

Berisha nga ky sulm, sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është në gjendje të rrezikut për jetë.

Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin.

Ata thuhet se e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin, pra imamin e Xhamisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 21 korrik 2022 rreth orës 22:00, te Xhamia në fshatin Lupç, Komuna e Podujevës, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje që ta privojnë nga jeta, e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin – dëshmitarin, Zeqir Berisha, Imam i Xhamisë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në dosje.

Tutje tregohet se imami ka pësuar tri fraktura në kokë dhe një në dorën e djathtë. Ai thuhet se është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku është operuar dhe është në gjendje të rrezikut për jetë.

Të pandehurit, B. M. 27 vjeçar, A. M., 29 vjeçar dhe Sh. M., 26 vjeçar gjenden në ndalim që nga data 22 korrik të këtij viti nga ora 01:45.

Lidhur me rastin kishte reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Ata kishin dënuar sulmin që ishte bërë ndaj Berishës dhe sulmin ndaj tij e kishin cilësuar si akt të papranueshëm.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhej në reagimin e BIK-ut.

Tutje, ishte thënë se sulmi ndaj imamit si autoritet është sulm ndaj vlerave dhe misionit që përfaqëson, rrjedhimisht edhe sulm ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhej më tej në komunikatë.

BIK potencoi se mbështesin dhe i qëndrojnë afër imamit, kurse nga xhemati kërkojnë që të distancohen nga autorët e sulmit.

Po ashtu, nga organet e drejtësisë kërkojnë që të japin vendimet e duhura.