Photo by Zoe Schaeffer on Unsplash

Dosja e Prokurorisë: I pandehuri mori afër 57 mijë euro subvencione për zogjtë që nuk i bleu kurrë

I pandehuri D.D., i arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës për keqpërdorime të subvencioneve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), dyshohet se përfitoi 58 mijë e 600 euro për 25 mijë zogj që nuk i bleu kurrë.

Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, tregohet se D.D. kishte aplikuar dhe përfituar subvencione për vitin 2020 në mënyrë të kundërligjshme në emër të biznesit të tij duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pasakta.

Ai dyshohet se ka shtuar numrin e pulave, duke thënë se kinse ka më shumë pula sesa që kishte në realitet.

D.D. më 28 tetor 2020 kishte paraqitur një faturë të lëshuar nga një biznes për kompaninë e tij, ku thuhej se kinse ai kishte blerë 20 mijë copë zogj.

Këtë faturë ai e kishte përdorur si mbulesë për numrin e deklaruar të pulave nga fermeri me rastin e aplikimit për subvencione.

Kjo faturë ishte gjetur në dosjen e D.D. dhe më pas, në bazë të verifikimit nga Administrata Tatimore e Kosovës, kishte rezultuar se është faturë fiktive.

Përmes kësaj fature, D.D. kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e parave prej 58 mijë e 600 eurove.

Pas përfitimit të këtyre parave, D.D. kishte arritur që t’i japë ryshfet shumën e parave në vlerë prej 5 mijë euro personave zyrtarë – inspektorit Blerim Mulliqi, i cili po ashtu ishte arrestuar për keqpërdorim me subvencione dhe ish-drejtorit të pagesave direkte, Luan Statovci, i cili po ashtu kishte përfunduar i arrestuar.

Pjesën e parë të parave prej 2 mijë e 500 euro Mulliqi e kishte pranuar nga i pandehuri, i cili më pas ia kishte dorëzuar të gjitha Statovcit.

Ndërsa, pjesën e dytë të parave D.D. nuk kishte arritur ta dorëzojë për shkak të arrestimeve që ishin bërë më 24 shkurt 2020.

Me këto veprime, D.D. dyshohet se ka kryer veprat penale – mashtrim me subvencione dhe – dhënia e ryshfetit.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i pezulluar nga anëtarësia i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.

Zbardhen provat – Si u përfshi në korrupsion asamblisti i Vetëvendosjes?