Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Gjilanasi arrestohet për fajde, kërkonte 22,500 euro si kamatë e borxhit

Prokuroria në Gjilan ka ndaluar sot një person me iniciale L.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se është përfshirë në fajde.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, ekziston dyshimi i bazuar se L.K. ka dhënë para me fajde në vlerë prej 75 mijë euro, me qëllim që pastaj t’i kërkonte me kamatë prej 30% nga i dëmtuari E.I.

Prokuroria thotë se vlera e përgjithshme sipas marrëveshjes që i dëmtuari kishte për t’ia kthyer të dyshuarit ishte 97,500 euro.

Sipas komunikatës bëhet e ditur se me kërkesë të prokurorisë dhe aprovim të gjykatës, nga policia është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur disa shënime në formë të marrëveshjes lidhur me kthimin e borxhit dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me çështjet inkriminuese.

Me këto veprime, Prokuroria e Gjilanit dyshon se i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur dhe prokuroria brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjilan.