Dosja e Prokurorisë: Dhuna ndaj 18-vjeçares u filmua nga kamera e sigurisë në banesën e Krivaçës

Kamera e sigurisë e vendosur në banesën e të pandehurit, Dardan Krivaça ka mundësuar të sigurohen prova të forta për Prokurorinë e Ferizajt, për të kuptuar se si ka ndodhur dhuna që çoi deri në vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë për rastin e vrasjes së 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit, ka pasur të vendosur një kamerë, e cila regjistronte 24 orë.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një çosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”. Përshkruan aktakuza e prokurorisë e cila detajon edhe kohen e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesë”, thuhet tutje.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”. Shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori përshkruan me detaje se si ka filluar ngjarja e cila përfundoi me fatalitet për 18-vjeçaren.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të 18-vjeçares, Marigona Osmani. Marigona Osmani vitin e kaluar ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt nga Krivaça dhe Sejdiu, të cilët u identifikuan pas disa orësh dhe u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar edhe me herët ne lidhje me ngitjen e aktakuzës ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut.

Detaje nga aktakuza, Prokuroria konstaton se Marigona Osmani u dhunua seksualisht derisa i humbi ndjenjat