Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica

Dosja e Prokurorisë - Cili ishte roli i ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit në ndërtimet në Brezovicë?

Tetë persona janë arrestuar, tre nga ta ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe të tjerët pronarë të kompanive ndërtuese nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale të cilat ndërlidhen me ndërtimet në Brezovicë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të arrestuarit e djeshëm, ndërsa siç mëson KALLXO.com seanca është planifikuar të mbahet gjatë ditës së sotme.

Sipas kërkesës së prokurorisë, Ilir Morina në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dyshohet se prej vitit 2016 ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos përmbushur detyrat me qëllim të përfitimit pasuror për persona të tjerë.

Me këto veprime Morina dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Tutje sipas prokurorisë i njëjti në mënyrë të tërthortë ka pranuar para, që të veproj në kundërshtim me detyrat zyrtare ndërsa për këtë rasti dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Për të pandehurin A. I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare.

I njëjti ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit. Po ashtu, i njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, ndërsa për këtë çështje ai dyshohet për ushtrim ndikimi.

Për të pandehurit Z. G., dhe A. X., ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në Prishtinë, në bashkëkryerje kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës.

Me këtë të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje të marrjes së ryshfetit.

Z. G., dhe A. X., si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në mënyrë të drejtpërdrejtë dyshohen se kanë marrë para, me qëllim të ushtrimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndaj M. Sh., ekziston dyshimi i bazuar se në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. I njëjti, dyshohet se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas Prokurorisë, ndaj  të pandehurit F. H., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2010, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

I njëjti, dyshohet se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Kurse, ndaj të pandehurit R. A., ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

I njëjti, dyshohet se në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, i njëjti ka falsifikuar dokumentin publik, me qëllim që të përdoret si origjinal, me këtë do të kryente veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Kurse, ndaj të pandehurit H. A., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. I njëjti në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me rastin “Brezovica”.