Aksioni në Shtërpcë - FOTO KALLXO

Dosja e Prokurorisë “Brezovica”: Arma e rrallë që iu sekuestrua ish-kryetarit të Shtërpcës

Një pistoletë e tipit “Cërvena Zastava”, dy karikatorë, 247 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe një armë e cilësuar në dosjen e Prokurorisë si “armë shigjetë”, janë sekuestruar nga policia e pretendohet se i përkasin ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Nikoliq është në mesin e dhjetë personave të arrestuar dje në aksionin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt në rastin e njohur si “Brezovica”.

Në lidhje me këto armë, Nikoliq po dyshohet për armëmbajtje pa leje, krahas dyshimit për kryerjen e tri veprave tjera penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimin lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Përveç se te Nikoliq, gjatë aksionit që u zhvillua dje në bashkërendim të Prokurorisë së Ferizajt dhe Departamentit të Krimeve të Rënda, u sekuestruan edhe disa armë dhe municione te persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, në shtëpinë e tij në Shtërpcë, në posedim të drejtorit të Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës – Dimitrije Raçiçeviq, janë gjetur një revole e tipit “Bereta” e kalibrit 7.65 mm me 8 fishekë, një revole e kalibrit 7.62 mm me 8 fishekë, dy karikatorë, 168 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 51 fishekë të kalibrit 7.65 mm, një palë pranga, 3 fishekë të kalibrit të panjohur, dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë të pushkës së gjuetisë me jelek për vendosje të fishekëve.

Po ashtu, gjatë aksionit të djeshëm, sipas Prokurorisë, në shtëpinë e drejtorit të Kadastrit të Komunës së Shtërpcës janë gjetur një revole e tipit TT me numër serik C-102173 dhe 18 fishekë dhe një pushkë gjuetie me numër serik B-21388 me 21 fishekë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

KALLXO.com raportoi sot për dosjen e Prokurorisë dhe dyshimet se ish-kryetari i Shtërpcës ka përfituar mbi 1 milion e 300 mijë euro ryshfet lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimin në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Po ashtu, KALLXO.com raportoi për subjektet për të cilat u dhanë lejet e ndërtimit e për të cilat dyshohet se u dha ryshfeti.

Prokuroria në Ferizaj dje pas zhvillimit të aksionit mbajti një konferencë për media ku u shpalosën rezultatet e këtij aksioni.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiçeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës; Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës; dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan dje edhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa seanca po mbahet sot në Gjykatën e Ferizajt.