Foto: Gentiana Ahmeti/KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: 83-vjeçari i ofroi 50 euro ryshfet zyrtarit të Qendrës së Pensioneve në Prizren

83-vjeçari Lazar Nikoliq po dyshohet se derisa kishte shkuar në Qendrën Regjionale të Administratës së Pensioneve (QRAP) në Prizren i ka ofruar 50 euro ryshfet zyrtarit të kësaj Qendre.

Sipas dosjes, Nikoliq, në cilësinë e pensionistit, këto të holla dyshohet se ia ka dhënë zyrtarit të QRAP për t’ia vazhduar pensionin çdo 6 muaj dhe për t’i krijuar vetes lehtësi.

Lidhur me këtë Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër Nikoliqit për veprën penale – dhënia e ryshfetit.

Dosja e Prokurorisë sqaron se i dyshuari Lazar Nikoliq më 26 tetor 2022, në QRAP në Prizren, në mënyrë të tërthortë i ka orfruar përfitim personit zyrtar që ai mos të veprojë në pajtim me detyrat zyrtare.

Sipas dosjes, pasi i pandehuri është paraqitur në sportelin e QRAP-së, për të vazhduar realizimin e pensionit në çdo 6 muaj dhe për t’i krijuar vetes lehtësi, në brendinë e sportelit të zyrtarit N.A. kishte vendosur një pliko të bardhë në të cilën kishte vendosur kartëmonedhën 50-euroshe.

Me këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale – dhënia e ryshfetit.

Në Gjykatën e Prizrenit sot ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar por në mungesë të të dyshuarit nuk është mbajtur.

Gjykatësja e rastit, Raima Elezi, ka theksuar se nuk ka prova se i dyshuari është ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për më 30 janar.