Dosja e Prokurisë - Si ndikoi aktivisti i Vetëvendosjes tek bashkëfshatari për të votuar

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngitur sot aktakuzë ndaj një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje pasi Prokuroria pretendon se ka ndikuar në përcaktimin e lirë të një votuesi në ditën e zgjedhjeve, më 6 tetor.

Sipas aktakuzës i dyshuari Q. R., në ditën e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të Kosovës, rreth orës 09:00, si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në fshatin Pozheran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit.

Prokuroria ka njoftuar se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në oborrin e shkollës së mesme ‘’Kuvendi i Manastirit’’, e kishte ndalë bashkëfshatarin e tij L. A., të cilit i kishte dhënë dy letra, njëra me numrat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe tjetra si fotoalbum me të gjithë kandidatët për deputetë nga ana e kësaj Partie.

Këto letra aktivisti i kishte dhënë bashkëfshatarit të tij me qëllim që i njëjti të votonte për kandidatët e këtij subjekti politik, të preferuar nga i pandehuri.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale të lartshënuar, prandaj Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtin t’a shpallë fajtor për këtë vepër penale.