Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dosja e Privatizimit, Sami Lushtaku vazhdon ta mbajë pronën e privatizuar në emër të mikut të tij

Deklaratat e mbrëmshme  të Sami Lushtakut se bleu tokë në privatizim me 50 euro arin dhe ia shiti shtetit rreth 5 mijë euro në procesin e shpronësimit bënë bujë në të gjithë Kosovën.

KALLXO.com gjurmoi në dosjet e privatizimit të AKP për të verifikuar deklarimet e Lushtakut. Në dosjet e privatizimit Sami Lushtaku nuk figuron të ketë privatizuar asnjë pronë. Por, sipas të dhënave të cilat gjenden në AKP, në maj të vitit 2008, Florim Kurrumeli ka privatizuar 97 hektarë tokë në Zabel të Epërm dhe Sankoc për një shumë prej 501 mijë eurosh.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Florim Kurrumelin, i cili e pranoi se këtë pronë e ka privatizuar së bashku me Sami Lushtakun. Ai deklaroi se Lushtaku ka kontribuar me afër 200 mijë euro.

“Prona e privatizuar bashkë me Samin është në Zabel të Epërm. Ai ka kontribu me diku afër 200 mijë euro, dhe janë diku 91 hektarë ose 90 hektar e jo siç  shkruhet në AKP 97 hektar”, tha Kurrumeli.

Nëse shuma që është paguar për këtë pronë pjesëtohet me vlerën e një ari tokë del ish-kryetari i Skenderajt ka paguar vetëm 51 euro për një ari tokë.

Kurrumeli tutje shtoi se nuk është i saktë deklarimi i Lushtakut mbrëmë se tokë është shpronësuar me 5 mijë euro.

“2 mijë deri në 2500 është pagu shpronësimi, nuk është paguar krejt pjesa por vetëm ajo ka e ka rrok autobani”, tha ai.

I pyetur nëse pronën e privatizuar e ka ndarë me Sami Lushtakun, Kurrumeli deklaroi se prona nuk është ndarë dhe se akoma figuron në emër të tij.

“Ne me letra nuk e kemi nda akoma, me letra akoma është në emër timin, un e kam mik shpije, nuk e di sa është e nevojshme me e nda”, tha Kurrumeli.

Në fund Florim Kurrulemi deklaroj se Sami Lushtaku të gjitha paratë i ka transferuar përmes xhirollogarisë bankare.

Mbrëmë Sami Lushtaku ishte i ftuar në emision përballë Jeta Xharres. Në mesin e shumë çështjeve të cilat u diskutuan ishte edhe pasuria e tij e fituar pas luftës në Kosovë.

Kur u pyet për pasurinë, Lushtaku deklaroj se ka në pronësi 50 hektarë tokë të privatizuara nga AKP të cilat i ka blerë së bashku me një mik të tij.

“E kam një tokë 50 hektarë tokë që e kam me një mik përgjysmë në Komoran, kjo është pasuria ime”, tha Lushtaku.

Ai deklaroj se nuk e di se sa e ka blerë saktë mirëpo privatizimi i ka kushtuar mbi 200 mijë euro.

“50 hektarët e blerë në privatizim nuk e di sa e kanë kushtuar, e di që 200 e diçka mijë euro jemi hi në kredi. Toka gjendet afër autostradës, një pjesë e vogël e saj më është shpronsu edhe pse nuk ka qenë në emër tim hiq”, shtoj ai.

Ndërsa kur u pyet për çmimin e shpronësimit që morri nga shteti, Lushtaku deklaroj se nuk e di saktë se sa është shpronësuar një ari 5 mijë, 6 mijë apo 7 mijë euro.

Intervistën e plotë të gazetares Jeta Xharra me ish kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku mund ta ndiqni më poshtë.

https://www.facebook.com/watch/live/?v=2197202570415066&ref=external