Dosja e Policisë – Si e raportoi vjedhjen e 50 mijë eurove deputeti Mirsad Shkreta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mirsad Shkreta ka raportuar në Policinë e Kosovës vjedhjen e 50 mijë eurove para të gatshme nga banesa e tij në Prishtinë.

Në orët e para të së premtes, më 24 qershor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka hetuar se iu është vjedhura banesa në Prishtinë dhe për këtë ka njoftuar Policinë e Kosovës.

Në raportin e Policisë së Kosovës që e ka siguruar KALLXO.com, deputeti Shkreta ka treguar se nuk kishte qenë në banesë që nga mëngjesi i datës 23 qershor, ditë e enjte.

Ndërsa kur ka hyrë në banesë, pak pas mesnate, të premten e 24 qershor ka hetuar se banesa iu është vjedhur dhe ka hetuar se nuk janë paratë.

Ai më të hapur banesën e tij, thuhet se e ka vërejtur se dikush kishte hyrë brenda dhe kishte vjedhur gjëra me vlerë.

Në raportin e Policisë thuhet se nuk kanë gjetur shenja se dera e banesës është hapur me forcë.

Dyshimet e Policisë janë se dera është hapur me çelës.

“Pala është intervistuar dhe dyshohet se i dyshuari ka hyrë në banesë me çelës për shkak se nuk ka dëshmi që është depërtuar me forcë”, thuhet në këtë raport të policisë që e ka siguruar KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me deputetin Shkreta, mirëpo ai nuk e ka hapur telefonin.

Në anën tjetër, Shkreta më 29 mars të këtij viti ka dorëzuar raportin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Mirëpo, në tabelën ku tregohet se sa para të mbajtura në institucione financiare ka deputeti Shkreta, nuk figurohen parat që pretendohet se janë vjedhur.

Sipas raportit të Antikorrupsionit, në dy llogari bankare, deputeti Shkreta ka deklaruar se posedon në total 101 mijë e 689 në emër të tij.

Ai po ashtu ka deklaruar edhe paratë në tri llogaritë e bashkëshortes së tij, që në total janë 21 mijë e 98 euro.

Mirsad Shkreta denoncon në Polici se iu vodhën 50 mijë euro cash