Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dosja e grupit të grabitësve me armë nga Ferizaj që vodhën KEDS-in dhe disa pompa të benzinës

Policia e Ferizajt ka njoftuar se sot në orët e para të mëngjesit kanë arrestuar katër persona nën dyshimin për grabitje që kanë ndodhur në rajonin e Ferizajt.

Sipas komunikatës, të arrestuarit dyshohet se kanë kryer grabitjet e armatosura në fshatin Sojevë në pikën e karburantit ‘’Veda Petrol’’, në fshatin Rakaj në pikën e karburantit ‘’Ballkan Petrol’’, grabitjen e një automjeti Tauran në fshatin Mirosale, grabitjen e armatosur në zyrat e KEDS në Shtime dhe grabitjen e armatosur në hyrje të Shtimes tek pika e karburantit ‘’Ibrahimi Petrol’’.

Të gjitha këto grabitje dyshohet se janë kryer gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: dy vetura, dy armë zjarri (pistoleta), tre karikatorë me 22 fishekë, një jelek antiplumb, dy maska, një thikë dhe pesë telefona mobil.

Të dyshuarit janë XH. S. 35 vjeçar, SH. R. 29 vjeçar, M. B. 35 vjeçar dhe F. G. 22 vjeçar.

Ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, me dyshimin se kanë kryer veprat penale” Grabitje”.

Në kërkim policor mbetet i dyshuari tjetër V. E.  30 vjeçar.