Dosja e fajdeve në Pejë, detaje se si organizoheshin takimet mes ‘fajdexhinjve’ e viktimës

Një dosje e re e fajdeve në rajonin e Pejës është regjistruar muaj më parë. Tre persona po akuzohen nga prokurori Ersan Qavolli për fajde dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Të dhëna të shumta të siguruara nga hetimi disamujor nga ana e prokurorit Qavolli ka rezultuar me aktakuzë në fillim të këtij muaji ndërsa siç potencon prokurori, gjykimi mbi këtë rast pritet të fillojë së shpejti.

Aktakuza e Prokurorisë përshkruan në detaje se cilat kanë qenë veprimet që kanë ndërmarrë të akuzuarit dhe se si janë ndarë rolet e tre personave që janë përfshirë në dosje.

“Dy të pandehurit e parë veprën e kanë kryer veç e veç. I pandehuri i parë i ka dhënë viktimës fajde 10 mijë euro ndërsa viktima për këto para ka paguar rreth 20 mijë euro ndërsa i pandehuri ia kërkon edhe 15 mijë euro. I pandehuri i dytë ia ka dhënë viktimës para me fajde 18 mijë e 200 euro ndërsa  i dëmtuari i ka paguar 20 mijë euro ndërsa i pandehuri i ka kërkuar edhe rreth 25 mijë euro duke përfshirë edhe borxhin që ka”, thotë prokurori Qavolli për emisionin “Kallxo Përnime” pas ngritjes së aktakuzës për grupin e dyshuar.

Pra dy të akuzuarit e parë sipas prokurorit Qavolli i kanë dhënë viktimës fajde rreth 20 mijë euro ndërsa fitimi ka qenë i lartë. Mbi 40 mijë euro para i janë kërkuar viktimës nga dy të pandehurit e parë, H.T., dhe A.V.

Sipas prokurorit Qavolli, i akuzuari i tretë A.Ç., dyshohet se nga janari i vitit 2020 e në vazhdimësi kishte ndihmuar të akuzuarit e parë pra H.T., dhe A.V., që të takoheshin me viktimën, pra është marrë me organizimin e takimeve.

Prokurori Qavolli bëri me dije se pasi që ekipi i KALLXO.com kishte raportuar një rast vitin e kaluar në prokurori të Pejës për fajde, numri i raportimeve ishte rritur ndërsa rasti i trajtuar së bashku me ekipin e KALLXO.com ishte model i bashkëpunimit dhe luftimit të kriminalitetit në Kosovë.

“Ky rast siç jeni në dijeni fillimisht është raportuar një rast më herët në KALLXO.com dhe pas atij rasti kanë qenë të shpeshta rastet kur viktimat janë paraqitur në prokurori. Edhe në këtë rast viktima ka ardhur direkt në prokurori dhe ka treguar për rastin. Prej fillimit deri në fazën e ngritjes së aktakuzës ata janë mbrojtur në heshtje. Kanë shfrytëzuar mundësinë e heshtjes”, thotë Qavolli tutje.

Deri sa potencon se të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje, prokurori Qavolli thotë se ka arritur që të sigurojë prova të mjaftueshme që grupi i dyshuar për fajde e ndihmë në kryerje të veprës penale të fajdesë ka kryer për më shumë se një vit.

“Periudha e ngritjes së aktakuzës ka nisur që nga shtatori 2021 deri më 10 maj, provat që kemi siguruar janë të shumta, ka shumë raporte policore, incizime, deklarata të dëshmitarëve, të të dëmtuarve”, tregon tutje prokurori Qavolli.

Në shtator të vitit të kaluar tre persona ishin arrestuar nën dyshimin për fajde.

KALLXO.com edhe në atë kohë kishte raportuar ekskluzivisht për ngjarjen derisa të dyshuarit ishin dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit Qavolli.

“Tre të pandehurit që janë arrestuar, fillimisht është kërkuar për dy prej tyre paraburgimi ndërsa për njërin është caktuar masa që të mos i afrohet vendit apo personit. Për momentin dy të pandehurit e parë gjenden në arrest shtëpiak. Me rastin e ngritjes së aktakuzës kam bërë kërkesë që kjo masë të vazhdojë dhe me sa jam në dijeni është vazhduar masa deri në më 17 korrik”, shpjegon Qavolli derisa shton edhe se masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për dy muaj.

Në aktakuzën e cila është ngritur më 10 maj të këtij viti, prokurori Qavolli ka propozuar edhe disa dëshmitarë.

“Dëshmitarë kemi shumë, kemi marrë shumë dëshmitarë edhe gjatë fazës së hetimeve por në aktakuzë kemi propozuar 6 apo 7 dëshmitarë që do të jenë në pjesë të gjykimit”, tregon ai.

Prokuroria e Pejës tashmë ka bërë edhe sekuestrimin e disa pronave e parave të gatshme të cilat ishin duke u mbajtur në dy xhirollogari të njërit nga të akuzuarit.

Dosja flet për konfiskimin e një veture, një telefoni dhe para në vlerë 20 mijë eurove në xhirollogarinë e të akuzuarit të parë H.T.

Për veprën penale për të cilën akuzohet A.Ç., atë të ndihmës në kryerje të veprës penale te fajdesë, Prokuroria nga i njëjti ka konfiskuar dy telefona të cilët dyshohet se kanë qenë mjete që janë përdorur për të mundësuar kryerjen e veprës penale.

Te A.V., Prokuroria në dosje ka përmendur se ka konfiskuar një veturë, një telefon, dokumente e letra me shifra të ndryshme.

Përveç marrjes së fajdesë e kërkimin e kthimit të parave dhe borxhit në formë të kamatës, viktima kishte rrëfyer edhe se ishte kërcënuar nga i akuzuari i parë H.T., se do ta privonte nga jeta.

Dosja flet se kur viktima fillon të ketë vonesa në pagesën e kamatës dhe kishte kërkuar që t’i ndalej fajdeja, i kishte dërguar dy persona që të bisedonin me të akuzuarin H.T., ky i fundit i cili më pas kishte kërkuar që të takohej me viktimën.

I akuzuari i kishte thënë të dëmtuarit se “nuk mundem me ta ndalë fajdenë, nëse më luan prej pikave t’i qes trutë në tavolinë”.

Këto fjalë kishin shkaktuar frikë dhe panik tek i dëmtuari, kështu thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në ditën kritike kur ishte bërë edhe arrestimi i të dyshuarve, e kur po bëhej simulimi i veprës penale pra më 15 shtator, të dyshuarit dhe viktima ishin takuar ndërsa i akuzuari A. Ç., i ishte drejtuar viktimës me fjalët: “mos i jep premtime njërit llanga, llanga se rrehesh, po të kallxoj rrehesh prej meje, qysh jam bërë nervoz, n’gepek të shti”.

Pra me këto veprime Prokuroria ka përmendur faktin në aktakuzë se i pandehuri H.T., përveç veprës penale të fajdesë, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të kanosjes.

Edhe A.Ç., sipas Prokurorisë akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerje të veprës penale të fajdesë si dhe kanosje.