Dosja e biznesit me “Viagra” në Prishtinë – LIVE

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi për kontrabandimin e “Viagra”-ve dhe barnave të ndaluara.

Reportazhi transmeton të dhëna nga operacioni i fundit i Doganës dhe Prokurorisë së Ferizajt ku u arrestuan një doganier dhe një person nga rajoni i Prishtinës.

Ekipi i KALLXO.com e ka ndjekur këtë operacion nga fillimi deri në momentet kur personat janë arrestuar.

Dosja e hetimit

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B. K., zyrtar doganor në Han të Elezit.

Ai dyshohet se më 18.05.2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon ryshfet nga i pandehuri L. S., dhe nga i njëjti me rastin e kalimit të kufirit pranon shumën e përgjithshme të të hollave prej 70 €, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Tutje sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri L. S. dyshohet se nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturën e të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1,385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos, pronë e të pandehurit, gjenden dhe sekuestrohet edhe një sasi e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16,290.00 pako.

Ai po dyshohet se  ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L. S. për veprën penale kontrabandim i mallrave dhe veprën penale dhënia e ryshfetit, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka vërtetuar faktin se i pandehuri B. K. nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë e personit zyrtar si zyrtar doganor në Doganën e Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare.

Tutje gjykata njofton se i pandehuri B. K., derisa është në detyrë, e njofton të pandehurin L. S. për kohën kur është i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i mundëson të pandehurit që ta kaloj pikën kufitare duke kontrabanduar mallra përmes Maqedonisë së Veriut për në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore të kontrollit.

Po ashtu gjykata njofton se i pandehuri dyshohet se më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtarë, përkatësisht zyrtarit doganor B. K., në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës për të pandehurin B. K., gjithashtu arresti shtëpiak për të dyshuarin L. S.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.K, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin L. S. dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, përfundon njoftimin e sajë Gjykata.