foto: Ilustrim

Dosja e aktakuzës ndaj përmbarueses: Si u konfiskua traktori i dikujt tjetër?

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një përmbaruese private nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, me 21 dhjetor 2021, në cilësinë e përmbarueses, S.K., me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër e konfiskon traktorin duke mos qenë pronë e të dëmtuarit, por pronë e tani të ndjerit H.B.

“Në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës,”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria më tej sqaron se traktori i konfiskuar është dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

Sipas Prokurorisë me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që e pandehura e lartcekura për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.