Jovan Viqentijeviq, i dyshuar për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit | Foto: KALLXO.com/03.12.2024

Dosja: Dyshimet që ngriti Prokuroria për vëllezërit që u arrestuan si të dyshuar për shpërthimin terrorist në kanalin e "Ibër-Lepencit"

Lëndime trupore, gërvishje në trup, posedim pa leje i armëve, arratisja e mundshme, mospërgjigje në ftesën e Policisë… janë disa prej fakteve të cilat janë përmendur e janë përdorur nga Prokuroria Speciale si arsyetim për të kërkuar masën e sigurisë ndaj Jovan Viqentijeviq, i arrestuar si i dyshuar për vendosjen e eksplozivit shpërthimi i të cilit më 29.11.2024 e dëmtoi kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.

Jovani është vëllai i Dragisha Viqentijeviqit. Ky i fundit ishte arrestuar më 30.11.2024 gjatë një aksioni të Policisë pas shpërthimit në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e sigurisë për dy vëllezërit, të cilët dyshohet se në bashkëveprim vendosën eksplozivin në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29.11.2024 në orët e mbrëmjes.

Dosja e Gjykatës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon për dyshimet që ka ngritur Prokuroria Speciale ndaj Jovan Viqentijeviqit në lidhje me sulmin i cili nga institucionet e Kosovës u cilësua si terrorist.

Në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se janë mbledhur dyshime të bazuara se Jovan Viqentijeviq ka kryer veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste si dhe armëmbajtje pa leje.

Jovan Viqentijeviq nuk e ka pranuar se ka kryer veprat që janë përshkruar nga Prokuroria Speciale përveç faktit se një pushkë automatike e gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të tij, Dragishës, ishte në emër të tij.

Ai në intervistën e tij të dhënë në Polici kishte mohuar se ka ndonjë armë tjetër në posedim.

“Te ky i pandehur vërehen disa lëndime trupore të cilat konsiderojmë se lidhen me vendin e ngjarjes si dhe nga disa prova tjera të gjetura në shtëpinë e të pandehurit të parë, vëllait të tij Dragisha Viqentijeviq”- thuhet në dosjen e Gjykatës.

Edhe për Jovan Viqentijeviqin Prokuroria kishte përshkruar në kërkesë se ka rrezik të ikjes për shkak se shtëpia e tij është afër kufirit me Serbinë por edhe faktin tjetër se i njëjti nuk i ishte përgjigjur ftesës së Policisë për t’u paraqitur në Polici kur ishte bastisur shtëpia e tij.

Dokumenti që ka siguruar KALLXO.com tregon edhe se Jovan Viqentijeviq i ishte shmangur intervistimit fillimisht, ndërsa i njëjti është kapur në flagrancë nga Policia.

Mbrojtësi i të dyshuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, në seancën dëgjimore kishte thënë se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është e pabazuar deri sa përmendi edhe se provat që janë gjetur, pra armët e konfiskuara, nuk provojnë asgjë sa i takon dyshimeve për kryerjen e veprave penale në lidhje me shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

“Është marrë një armë e gjuetisë, pushka e gjuetisë por nuk është marrë asnjë eksploziv, nuk është gjetur asnjë fitil, ndonjë detonator apo kapsulla, ajo çka është marrë nuk ka kurrfarë lidhje me eksploziv”- kishte thënë në seancë avokati Vllajiq.

Gjithashtu ai ka thënë edhe se prokurori përmendi lëndimet te klienti i tij por që ky i fundit, sipas avokatit, është punëtor, merret me prerjen e druve.

Vetë Jovan Viqentijeviq në deklarimin e tij në seancën për caktimin e masës së sigurisë ka mohuar sërish se ka gisht në shpërthimin në Zubin Potok.

“Unë me përgjegjësi të plotë e them se nuk kam kurrfarë lidhje me eksplodimin e cekur, që ka ndodhur rreth orës 18:50. Në momentin e caktuar kam qenë në shtëpi duke ngrënë darkë dhe duke u përgatitur për punë dhe në ato momente kam pasur ftesë nga S.M. nga fshati Varagë dhe nga ai kam dëgjuar dhe jam përgatitur për punë dhe rreth orës 19:20 kam dalë në rrugën e asfaltuar dhe aty e kam pritur kolegun për të shkuar në punë i cili ka ardhë për të më marrë me veturë”- është deklarimi i Jovan Viqentijeviqit në seancën e sotme.

Prokuroria Speciale pretendon se Jovan Viqentijeviq më 29.11.2024 rreth orës 18:50 në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepencit”, i cili përdoret për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për energji elektrike në bashkëveprim me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq, kishin përdorur eksploziv në kanal i cili pas shpërthimit pësoi dëme në strukturën e betonit me ç’rast rrezikoi edhe furnizimin me ujë.

Sulmi terrorist

Ky lajm i publikuar më 02.12.2024 për shpërthim të fuqishëm në Mitrovicë është publikuar vetëm 3 ditë pasi një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga një sulm terrorist e kishte dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit“, duke lënë pa ujë disa qytete dhe duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike e ngrohje.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, ‘Brigadës Civile’, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”– kishte thënë kryeministri Albin Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në komunën e Zubin Potokut.

Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në sitemin energjetik të Republikës së Kosovës”- kishte thënë Hoxha.

Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe  Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.

Arrestimet në lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje të tjera lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të komunës së  Zubin Potok, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit’.

“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”-  nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”- nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK, “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve”- nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1  të KPRK”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarëve u është caktuar masa e ndalimit.

“Me vendim të prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delleviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij u gjetën edhe armë e municion, për ç’arsye Prokuroria po e ndjekë edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J.V. nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, më datën 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”– thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës “AK-47”, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.