Foto: KALLXO.com

Dosja “Brezovica”, janë bllokuar afër 6 milionë euro të të pandehurve dhe familjarëve të tyre

Rasti i hetimit të ndërtimeve ilegale në Brezovicë po vazhdon ndërsa gjatë ditës së sotme është zhvilluar edhe një aksion tjetër ku pati të arrestuar dhe bastisje.

Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin në koordinim të plotë të Prokurorisë së Ferizajt.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, tregoi se gjatë hetimeve prej datës 21 dhjetor 2021, janë ngrirë afër 6 milionë euro, para këto që kanë qenë në xhirollogaritë bankare të të dyshuarve të arrestuar gjatë këtij aksioni.

“Shumica e këtyre mjeteve janë të të pandehurve ndërsa një pjesë tjetër kanë qenë të familjarëve të tyre”, tha prokurori Maloku.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, tregoi se gjatë ditës së sotme janë zhvilluar aksione në 9 lokacione të ndryshme, në komunën e Shtërpcës, Ferizajt dhe Prishtinës, gjithashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë Ministri janë arrestuar dhe janë dërguar në ndalin kryeinspektori Bedri Halimi dhe ish-sekretari Arben Çitaku.

Halimi po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Çitaku për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.