Dosja - biznesi i fajdeve dhe veturat e shtrenjta

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dyshime të bazuara se në dosjen e fajdeve janë përfshirë edhe dy autosallone të tjera në Kosovë.

Një biznesmen i veturave, Besnik Salihu, pronar i autosallonit ‘Besa’, dyshohet se ka shitur vetura për fajde.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari me inicialet S.B., pasi që kishte hyrë në fajde më herët ndaj personave të tjerë, për shkak të vështirësive financiare, është detyruar të blerë një veturë ‘Porche’ nga i dyshuari Besnik Salihu, me cmim prej 100 mijë euro.

Por, për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë, është detyruar të ia shes të njejtën veturë të dyshuarit Salihu, me cmim prej 65 mijë euro. Kështu, i dëmtuari ka pësuar dëm prej 35 mijë eurove, sipas Prokurorisë.

Tutje, i dëmtuari S.B., si pasojë e fajdeve është detyruar që të blejë një veturë nga një tjetër autosallon.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte blerë një veturë Range Rover’ në vlerë prej 45 mijë eurove, nga autosalloni ‘Besa F’, me pronar Fadil Salihu, e që më pas të njejtën ia ka shitur të njejtit pronar, në cmim prej 27 mijë euro. Kështu, duke pësuar dëm financiar prej 18 mijë eurove.

Prapë, Prokuroria pretendon se kishte ndodhur rast i ngjashëm në mes të pronarit të ‘Besa F’, Fadil Salihut dhe të dëmtuarit S.B.

Ky i fundit për shkak të fajdeve ishte detyruar që të blerë një veturë Mercedes GLS me cmim 30 mijë euro nga Fadil Salihu, e më pas është detyruar që ta shes në autosallonin ‘Alberti’ me cmimin prej 14 mijë eruove, kurse ka mbetur borxh në shumë prej 30 mijë eurove tek i dyshuari Fadil Salihu.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ku janë të arrestuar rreth 15 persona, nën dyshimin e veprës penale ‘fajde’.

Dy biznesmen tjerë të njohur në vend janë arrestuar në fund të javës, me dyshimet se janë përfshirë në veprimtari të fajdeve.

Bashkim Osmani pronari i kompanisë “Dona Laberion” dhe Shefik Rexhepi pronar i kompanisë ‘Euro Ab” dyshohen për një rast të fajdeve ku vlera tejkalon shumën 1 milion euro.

Një biznesmen tjetër me emrin Skender Bajrami, pronar i autosallonit ‘Alberti’, dyshohet se është përfshirë në veprën penale të fajdes.

Dosja e fajdeve nga Prokuroria Themelore në Ferizaj e përfshin edhe një biznesmen tjetër, me emrin Egzon Salihu, pronar i autosallonit ‘Lipjani’.

Dosja e fajdeve, Porche Panamera u ble 100 mijë e u shit 60 mijë euro