Doris Pack: LDK t'i rezistojë lojës së Grenellit

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, gjermanja Doris Pack ka reaguar ndaj Lidhjes Demorkatike të Kosovës e cila ka nisur procedurat për inicimin e  mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Pack ka thënë se pret nga LDK-ja që t’i rezitojnë “lojës egoiste” të presidentit Donald Trump dhe të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

“Unë pres që ata që janë në krye të LDK t’i rezistojnë kësaj loje egoiste nga Grenell + Trump. Ata nuk interesohen për pasojat për Evropën Juglindore dhe BE-në; ata janë të shqetësuar vetëm për zgjedhjet e rrezikuara të Trump”, ka shkruar Pack në Twitter.

Ish-deputetja e PE-së ka shtuar se pret nga LDK-ja që të kujdeset për Kosovën pasi, sipas saj, ish-presidenti Ibrahim Rugova do të vepronte ndryshe.

 

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Por arsyeja kryesore për prishjen e koalicionit qeverisës, thuhet të jetë tarifa 100 për qind e vendosur më 2018 ndaj Serbisë dhe Bosnje e Herecegovinës që po ndërlidhet direkt me mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në të cilën thuhet se është temë edhe “korrigjimi i kufijve”.

Ndërkaq Daniel Serwer, ish- këshilltar i Hashim Thaçit i ka bërë sërish thirrje atij që të mos nënshkruajë një marrëveshje të keqe me Serbinë.

Serwer që është edhe dhe udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins” ka folur në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” lidhur me presionin amerikan për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës dhe rrezikun për ndarjen e Kosovës me këtë marrëveshje.

Serwer i bën thirrje Presidentit për të mos nënshkruar ‘marrëveshjen e keqe me Serbinë’