ARKIV: Autobusi që barte disa persona të kthyer nga zona e Luftës në Siri, 19.04.2019

Dorëzohet te institucionet e Kosovës edhe një shtetas kosovar që udhëtoi vite më parë për në Siri

O.K., ishte në mesin e qindra kosovarëve të cilët i ishin bashkuar zonës së konfliktit në Siri para vitit 2020, ndërsa sot, më 06.11.2024, i njëjti është dorëzuar te autoritetet e Kosovës, ndërsa Prokuroria Speciale i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë e që më tutje do të vazhdohet edhe me procedurat tjera ligjore.

Bashkë me O.K., tashmë janë kthyer edhe gruaja e tij dhe dy fëmijë të cilët do t’i nënshtrohen procedurave nga ana e institucioneve të vendit.

“Siç duket dikush ka punuar më shumë me të”- ishte rrëfimi i babait të O.K., që kishte dhënë tri vite më parë për emisionin Kallxo Pernime.

Diku mes viteve 2012-2013, 33-vjeçari, O.K., në atë kohë kishte marrë rrugën drejtë Sirisë.

Në atë kohë, babai i tij, A.K., kishte dëgjuar fjalë nga disa të afërm të tij për shkuarjen e djalit të tij në zonat e konfliktit, por nuk i kishte besuar deri sa kishte pranuar një mesazh në telefonin e tij.

“Ma ka lyp hallallin me një mesazh” – rrëfente babai i tashmë 36-vjeçarit deri sa shton se menjëherë kishte njoftuar institucionet e sigurisë.

“Unë vonë kam marrë vesh fatkeqësisht, ai ka shku përmes Shqipërisë edhe pse e kam informu menjëherë policinë për këtë rast që mos me i ndodh edhe dikujt tjetër. Kam degju që ka shku, e kam pasur një mesazh ma ka lyp hallallin dhe 6-7 muaj nuk kam pasur kontakt. Kam qenë i irrituar, djali i vetëm, i mirë i meqëm katër gjuhë i ka ditë, por fatkeqësisht dikush ka punu me të më shumë se unë edhe shteti jem” – rrëfente A.K.

Ai vazhdon të tregoj se fati i keq ka qenë që nuk kishte parë ndonjë sjellje nga ana e djalit të tij.

“Fati i keq është që unë nuk kam pa shenja, ndoshta një shenjë e vogël pati nisur mu falë, por për mua ka qenë normale dhe pse vetë nuk jam falë. Në ramazan nuk vijke me hangër buk me ne, pata kërku prej tij i pata thanë mu kthy në rrugë të Zotit, më ka thënë ‘cila është rruga e Zotit’, i kam thanë prindi, më ka thanë a mos me u falë, i kam thënë me u fal po, pastaj krisi kjo çka krisi por nuk kam pas informacione as unë as nëna e tij”, vazhdon rrëfimin babai i tij.

A.K., për vite me radhë e dinte djalin gjallë por nuk e dinte saktë vendndodhjen e tij.

Ai kishte kërkuar disa herë nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që ta ndihmojnë në kthimin e djalit të tij.

Madje babai shprehet se djali i tij ishte i gatshëm të përballet me drejtësinë por me një kusht.

“Sot po kërkoj me i pru fëmijët dhe nusen, e djali vjen vet pastaj. Ai është deklaru që nuk do të ketë problem dhe se do të përballet me drejtësinë, pengesë që nuk është kthyer ai është se gruaja dhe fëmijët nuk kanë dokumentacion. Ai ka shkuar atje që 9 vite por me një fjalë nuk është ai që ka qenë, Ai që ka shku nuk është sot, është djali që ka qenë para se me shku në Siri”, rrëfente babai i O.K.

Përgjatë një komunikimi me ekipin  e KALLXO.com, vetë O.K., pranonte se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë për shkuarjen e tij në Siri por se nga institucionet kërkonte garancion se do t’i pranonin gruan dhe dy fëmijët e tyre.

Pas shkuarjes në Siri O.K., kishte thënë se kishte arritur qe të dilte nga zona e konfliktit përmes rrugëve ilegale dhe tani ka ardhur në Kosovë.

Institucionet e Kosovës siç mëson KALLXO.com kanë konsideruar se i njëjti nuk paraqet rrezik dhe se i njëjti pas dorëzimit te autoritetet do të nisin proceset ndaj të njëjtit.

Fillimisht ai do të nis të procedohet penalisht për vepra penale të cilat i vihen në barrë për pjesëmarrje në luftëra të huaja.

Aktualisht Departamenti për Siguri, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe Prokuroria Speciale janë duke u marrë me rastin. I njëjti pritet qe të hyjë edhe në proceset e riintegrimit sikurse edhe të tjerët që janë rikthyer nga zonat e luftës.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me procesin e riintegrimit dhe rehabilitimit të personave të cilët janë rikthyer nga Siria në Kosovë përmes operacioneve të institucioneve të vendit.

Kujtojmë se në vitin 2019, 110 kosovarë prej tyre 34 gra, 4 burra dhe të tjerët fëmijë ishin rikthyer në Kosovë.

Gratë e fëmijët u trajtuan me programe rehabilituese dhe riintegruese duke ju ofruar të njëjtëve shkollim e trajnime për t’i bërë pjesë të shoqërisë.

Rrëfimi i babait që i shkoi djali në Siri: Ma kërkoi hallallin në telefon