Dorëzohet Qeveria, pezullon taksën

Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, tha se është pezulluar vendimi për taksën 5 euroshe për tiketat ngjitëse në automjete.

“Dhe do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën si ka ardhur deri te ky vendim. Pra prej interpretimeve të ndryshme ligjore duke i përfshirë dhe interpretimet dhe trajtimet nga auditori, e te gjitha me radhë deri te nënshkrimi”, ka thënë Aliu.

Ai i siguroi qytetarët se nuk do t’i paguajnë nga 5 euro për tiketën ngjitëse në automjete.

Deputeti Bekë Berisha ka kërkuar gjatë seancës që të largohet kjo taksë. Dhe menjëherë pas njoftimit të ministrit Aliu se do të pezullohet ky vendim, Berisha tha se kjo është punë e mirë.

Ndërsa Abelard Tahiri tha se kjo taksë duhet të anulohet e jo të pezullohet.

“Na ja kemi nxënë qeverisë me dorë në xhep të qytetarëve. Nuk është e mjaftueshme pezullimi duhet mu anulu”, tha Tahiri.

Armend Zemaj nga LDK tha se ministri duhet të shkoj nga seanca në prokurori dhe t’i vendos para drejtësisë ata që kanë nënshkuar marrëveshje korruptive.

“Kjo nuk mbulohet kështu. Akti më real do të ishte sot dorëheqja”, tha Zemaj.

Për anulimin e këtij procesi, nëpërmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, e ka bërë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ai ka njoftuar se sot ka marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.

Sipas Durmishit, pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmoniziar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka paralajmëruar se vendimin përfundimtar do ta marrin pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në këtë marrëveshje në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Para disa ditësh, ministri Durmishi tha se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj. Ndërkaq, ky i fundit në një medium e ka mohuar kategorikisht këtë.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga partitë opozitare duke e quajtur monopol, pasi marrëveshja e Ministrisë ishte nënshkruar me vetëm një kompani që do të kryente këtë shërbim. Vlera e kësaj takse është 5 euro.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë qytetarëve që të protestojnë ndaj kësaj takse. Ndërkaq PDK-ja kishte paralajmëruar debat parlamentar lidhur me këtë çështje.