Hekuran Murati dorëzon në Kuvend peticionin për heqjen e homologimit të automjeteve Foto: KALLXO.com

Dorëzohet peticioni për heqjen e obligimit për homologim

Një peticion me 10 mijë nënshkrime të qytetarëve është dërguar sot në Kuvendin e Kosovës me qëllimin  e ndalimit të obligimit për homologimin e automjeteve.

Ky peticion u dorëzua nga Hekuran Murati, i cili kishte nisur peticionin para tre javëve.

“Ne si qytetsrë keni një kërkesë që obligimi per homologim të tërhiqet tërësisht. Sepse aty nuk ka homologim, por ka vetëm verifikim të librezës së vetures. Kjo ështe veç një plaçkë. Këtë punë do të mund ta kryente Dogana e Kosovës”, tha Murati.

Ai tash tha se po pret 6 deputetë apo ‘6 heronjë’ për të marrë hapat tutje.

Mundësia e vazhdimit të kontratës për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”, e vetmja që merret me këtë punë, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte gjetur se disa nene të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore binin ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Çështja e monopolit për homologim ka ngjallur debat edhe te deputetët dhe ministri i Infrastrukturës.

Po ashtu, çështja kishte nxitur Bashkimin Europian të dërgojë ekspertë në Kosovë.

https://kallxo.com/komisioni-evropian-nderhyn-ne-monopolin-per-homologimin-te-automjeteve/