Dorëzohet përgjigja në padinë e ngritur nga kompania "KelKos Energy" Sh.P.K ndaj aktivistes Shpresa Loshaj

Përfaqësuesja e organizatës jo-qeveritare ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj,  është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet për dëmtim të imazhit ku si dëmshpërblim kërkohen 100 mijë euro.

Sot para Gjykatës në Deçan, koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve kanë mbajtur konferencë për media, ku edhe është bërë dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania “KelKos Energy” Sh.P.K ndaj aktivistes Shpresa Loshaj.

Avokatja Rina Kika tha se sot është dorëzuar  përgjigjja në padi duke kërkuar që Gjykata të refuzojë padinë si të pabazuar.

Kika tha se Shpresa Loshaj e ka shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për t’u shprehur lirshëm për një çështje me interes publik siç është mbrojtja e mjedisit.

Më poshtë deklarata e Shpresa Loshaj e lexuar sot para Gjykatës.

“Kjo padi agresive ndaj meje, po tregon qartë se Kelkosi ka shumëçka për të fshehur dhe mbuluar, për këtë edhe po lëshohen në masa ekstreme. Po më padisin për fakte se ne si deçanas, i kemi para syve që gati 10 vite, por edhe janë të dokumentuara nga institucionet publike si Avokati i Popullit dhe Shoqëria Civile. Më paditen mua se ndoshta menduan që do jem vetëm, por ne ju dëshmuam ndryshe. Falënderoj dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora për mesazhe mbështetëse, ndihmë profesionale e financiare që të mbrohemi nga Kelkosi”.

Loshaj  pretendon se padia është bërë për faktin që ajo ka ngritur zërin publik duke shkruar në rrjete sociale e dhënë prononcime në media kundrejt kësaj kompanie, e cila ka katër hidrocentrale në Deçan.

Në vitin e kaluar edhe aktivisti ambiental, Adriatik Gacaferi është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet se ka dëmtuar reputacionin me një publikim në facebook ku ai ka treguar për pasojat e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

“KelKos Energy” ka ndërtuar tri hidrocentrale në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi II’, ‘Belaja’ dhe ‘Deçani’.

“KelKos” po ashtu kishte blerë edhe hidrocentralin “Lumbardhi”, i cili më parë ka qenë hidrocentral funksional në grykën e Deçanit.

“KelKos”-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike me 14 tetor në tre hidrocentrale te gryka e Deçanit dhe pas një muaji Zyra e Rregullatorit të Energjisë i kishte dhënë licencë 40 vjeçare për prodhim të energjisë.