Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Dorëzohet një aktakuzë e re në Speciale, pritet shqyrtimi i saj

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vendosë rreth një aktakuze të re të Prokurorit Special në Hagë.

Sipas njoftimit përmbajta e aktakuzës është konfidenciale deri sa të konfirmohet nga gjykatësi.

“Në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim për media.

Prokurori i Specializuar ka njoftuar për nisjen e procedimit penal të ri para Dhomave të Specializuara të Kosovës me ç’rast edhe ka kërkuar caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake.

“Pas njoftimit të tij për nisjen e procedimeve penale në shkurt 2020, Prokurori i Specializuar e njoftoi sërish Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të enjten, më 23 prill 2020, se ka ndër mend të nisë procedim penal të ri para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe kërkoi caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”, thuhet në njoftim.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Speciale ka nisur shqyrtimin e aktakuzave të para që tashmë janë ngritur nga ana e Prokurorit të Specializuar, përderisa ka bërë të ditur se me konfirmimin e aktakuzave, ato do të bëhen publike.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se Presidenti i Specializuar ka caktuar një gjyqtar të procedurës paraprake të shqyrtojë aktakuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar.

“Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj për të shqyrtuar provat që mbështesin aktakuzën për të vendosur nëse ekziston një dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit dhe për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën”, thuhet në përgjigjen e Griep për KALLXO.com.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.