Dorëzohet kallëzim penal ndaj Aleksandër Vuçiqit - DOKUMENT

Avokati kosovar Tomë Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut në kohën e luftës në Kosovë.

Vuçiq një ditë më parë ka deklaruar se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”.

Gashi kallëzimin penal e ka bërë në cilësinë e përfaqësuesit juridik të viktimave të Masakrës së Reçakut.

Në kallëzimin penal, thuhet se Vuçiq me dashje ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje e përçarje.

“Më 05.12.2019 në cilësinë e Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq me dashje ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje, përçarje, dhe mos durim midis grupeve kombëtare, në mes të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke deklaruar në mënyrë sistematike dhe duke e keqpërdorur pozitën e tij të Presidentit të Republikës së Serbisë, si dhe duke e mohuar Masakrën e Reçakut, në të cilën masakër me 15 janar 1999 nga forcat okupuese ushtarake dhe policore të Republikës së Serbisë janë vrarë 45 shqiptarë civilë të moshave të ndryshme, fëmijë, gra dhe burra, po ashtu duke deklaruar se Masakra e Reçakut është një “trillim i sajuar nga William Walker”, dhe se masakra e Reçakut ishte një krim i fabrikuar, ku gjithçka sipas tij ‘është falsifikuar nga ai mashtruesi me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker’, këtë e ka thënë para gazetarëve, dhe këtë e kanë raportuar edhe të gjitha mediat në Republikën e Serbisë (B92 etj), dhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në kallëzim penal.

KALLXO.com dje ka raportuar se deklarata se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund t’i kushtojë me përballje me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo pasi që për një deklaratë të tillë dje Gjykata e Prishtinës e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Teodosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin special, Atdhe Demaj, i cili po ashtu ka qenë prokuror në rastin e Ivan Teodosijeviqit, për ta pyetur se çfarë do të ndërmerret ndaj Presidentit serb për deklaratën e tij të sotme. Demaj tha se për këtë çështje do të diskutojnë me U.D. Kryeprokurorin Special, Afrim Shefkiu.

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës

Në anën tjetër, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, më saktësisht neni 147, thotë se: “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.