Dorëzohet drejtori i ATK-së, tërheq vendimin për njeriun e PDK-së

Drejtori i ATK-së ka marrë vendim ta largojë nga udhëheqja e hetimeve ish-zëvendësministrin Bekim Jupa, të cilin dy ditë më parë e kishte emëruar në këtë pozitë.

Dy ditë më parë KALLXO.com raportoj se njeriu i lidhur me strukturat e PDK-së do udhëhiqte hetimet ndërsa sot pak para se Jupa të vendosej në zyrë ai ka pranuar vendimin për emërim në një pozitë tjetër.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar vetë drejtori Ilir Murtezaj.

Sipas tij, ish-zëvendësministri nuk është larguar nga ajo pozitë mirëpo është emëruar në një pozitë tjetër.

“Bekim Jupa është vendosur në një departament tjetër dhe vazhdon me e ushtru detyrën. Nuk është largu nga hetimet por është angazhu në një angazhim tjetër”- ka thënë drejtori.

Ai tha se është detyrë e institucionit t’i vendosë njerëzit në pozita në të cilat besohet se do të kontribuojnë më së shumti.

“Jupa është zyrtar i ATK-së është rikthy në pozitë ekuivalente që ka qenë, në përputhje të plotë me ligjin. Këto janë çështje organizative për institucionin dhe nuk janë për opinionin, varësisht ku institucioni e sheh se ku mund të jep kontribut ma shumë aty e vendos zyrtarin tatimor”, shtoi drejtori.

Pas raportimit të KALLXO.com, drejtori i ATK-së dhe ministri i Financave, Besnik Bislimi kishin pranuar ankesa nga stafi i brendshëm i ATK-së për emërimin e Jupes. Ankesa ishte bërë nga personat të cilëve nuk ju është ofruar pozita ekuivalente pas riorganizimit të ATK-së në fund të vitit të kaluar, mirëpo ishin degraduar në pozita.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, dy ditë më parë pati deklaruar për KALLXO.com se është detyrë e drejtorit që t’i kthejë zyrtarët në pozitat ekuivalente në të cilat kanë qenë më parë.

Bekim Jupa, që është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, është emëruar shef i Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës.

Jupa e kishte pezulluar punën në ATK me rastin e emërimit si zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Jupa ka qenë aktiv për një kohë të gjatë në politikë.

Ai kishte kandiduar nga PDK-ja për asamblist të Komunës së Gjakovës.

Profili i tij në “Facebook” është i mbushur me fotografi me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, të nivelit qendror dhe lokal.

Jupa, përveç fushatës për PDK-në është marrë edhe me partitë që aktualisht janë në pushtet – LVV dhe LDK-në, duke i thumbuar ato gjatë kohës sa negocionin për formimin e Qeverisë.