Dorëzohet donacioni me 30 ventilatorë nga Bashkimi Europian

Riccardo Serri, ushtrues i detyrës së Shefit të zyrës së BE-së në Kosovë ka bërë dorëzimin e 30 ventilatorëve, oksimetrave dhe makinave elektrokardiografike me vlerë 900 mijë euro që janë pjesë e fondit prej 5 milionë euro të ndara nga BE-ja për Kosovën.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihmën duke thënë se kjo t’i ndihmojë shumë stafit shëndetësor në riorganizim të përgjegjësive.

“Mjekët po tregojnë përkushtim në punë dhe angazhim për shpëtim të çdo jete, zoti Ricardo faleminderit për ndihmën që po bëni për ne në këto kohë të vështira që po kalon i gjithë globi. Kjo ndihmë do na shërbejë shumë në riorganizimin që po e bëjmë së bashku në shërbimin klinik spitalor në ndarjen e përgjegjesive për të na ndihmuar në jetën e çdo qytetari që po përballet nga pandemia Covid-19,” u shpreh Zemaj.

Ai tutje shtoi se shpreson që aparaturat të përdoren sa më pak.

“Kjo ndihmë është vlerësim i madh dhe i nevojshëm dhe shpresojmë që çdo jetë e shpëtuar do jetë falënderim i konsiderueshëm për çdo taksapagues evropian. Mbi të gjitha do jenë në shërbim të ruajtjes së jetës së pacientëve dhe dashtë zoti që të jetë sa më pak e nevojshme që të përdoren këto aparatura,” shtoi tutje Zemaj.

Ricaardo Serri, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë tha se ata kanë ndihumar aty ku Kosova ka nevoja më urgjente, dhe ky investim është i fundit nga 5 milionë eurot e ndara nga BE për Kosovën.

“Kënaqësi e madhe të jem këtu, ne jemi shumë krenar që arritëm këtë sepse ja arritëm ta bëjmë në një kohë të shkurtër bashkë më ministrin e shëndetësisë dhe partnerat tanë evropian. Ne ja kemi arritur që të investojmë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor dhe mbi të gjitha në Kosovë kemi investuar aty ku ka pasur më së shumti nevojë, në nevojat më urgjente me mbi 5 milionë euro, ky investim është qershia mbi tortë e këtij fondi të BE-së,” tha Serri.

Serri tutje shtoi se falendërimet duhet të shkojnë për stafin mjekësor dhe theksoi se kjo luftë është përgjegjësi e të gjithëve pasi Kosova ka një sistem të dobët shëndetësor dhe nuk mund ta përballojë këtë përkeqësim të situatës.

“Në jemi të lumtur për këtë, por sigurisht pjesa mjekësore nuk është gjëja e vetme sepse ne e dijmë edhe për punën e madhe që po kryen stafi mjekësor dhe sigurisht falënderimet tona duhet të shkojnë për ta për luftimin kundër pandemisë.

Këtu janë 30 ventilator që kanë ardhur sot dhe shpresojmë që të kenë një rol vendimtar në këtë luftë, siç edhe u diskutua kjo është dërgesa e fundit nga fondi i BE-së . Sidoqoftë mendojmë së ka nevojë të bëhen përpjekje nga të gjithë përfshirë popullin në mënyrë që të luftohet pandemia. Siç e dini sistemi shëndetësor në Kosovë është mjaft i dobët, ne këtë e dinim që nga fillimi.

Në këto ditë fatkeqësisht që nga fillimi i qershorit dhe korriku ne jemi dëshmitar të një rritje shumë të madhe, numrat po rriten dhe ky është një shqetësim i madh për ne. Në fillim gjenjda ishte nën kontroll, por tani nuk është e tillë me mbi 200 të vdekur deri sot dhe që janë numra të vështirë për t’u menaxhuar për Kosovën,” u shpreh tutje shefi i zyrës së BE-së.

Ai gjithashtu i uroi shërim të shpejtë Kryeministrit Hoti dhe gjithë qytetarëve që po luftojnë me këtë virus, duke cekur edhe ndihmën që duhet të japë qeveria me ndarje të buxhetit për këtë sektor.