Alba Dushi gjatë dorëzimit të ankesës lidhur me padinë për hidrocentralet në Deçan. FOTO-KALLXO.com

Dorëzohet ankesa në Gjykatë pas refuzimit të padisë për lejet e KELKOS-it

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka dorëzuar ankesën  në Gjykatën e Apelit për rastin e hidrocentraleve në Deçan

Kjo pasi Gjykata Themelore ia kishte hedhur poshtë padinë e tyre ndaj Ministrisë se Ekonomisë dhe Ambientit dhe  Zyrës së Rregullatorit për Energji, për lëshimin e lejeve mjedisore, ujore dhe licencave për Hidrocentralet në Grykën e Deçanit — HC Deçani dhe HC Belaja”.

 

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike në dhjetor e kishte dërguar padinë që ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve në ambient të pastër dhe të shëndetshëm.

Alba Dushi tha se GLPS dhe “Pishtarët” kërkojnë që të hidhet poshtë aktvendimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim. Sipas saj, Gjykata e ka hedhur poshtë padinë e tyre pasi për të njëjtën çështje ekziston një padi tjetër nga një banor i Deçanit.

“Asnjë qytetari të Kosovës nuk mund t’i mohohet e drejta në qasje në Gjykatë, gjë e cila është bërë këtu, vetëm se një person ka bërë padi në Gjykatë për disa raste administrative të cilat janë të kundërligjshme. Nuk do duhej që pastaj të ndalohet që gjithkush tjetër të paraqesë padi, gjë e cila ka ndodhur në këtë rast”, tha Alba Dushi

Ajo po ashtu shtoi se padia e bërë nuk do të duhet të hidhej poshtë.

“Në rastin në fjalë me hedhjen poshtë të padisë sonë dhe moslejimin tonë të marrim pjesë në procedura, na janë shkelur këto të drejta themelore, të cilat nuk mund të kufizohen në një rast. Në këtë ne konsiderojmë se nuk ka pasur qëllim legjitim që ne të na hidhet poshtë padia, por që Gjykata është dashur të bëjë bashkimin e të dy lëndëve sepse një banor i Deçanit e ka dorëzuar një padi më herët dhe ne kemi dorëzuar padinë në të njëjtën ditë, prandaj konsiderojmë se padia jonë nuk do të duhej të hidhej poshtë”, shtoi ajo

Paditet Ministria dhe ZRrE-ja për lejet e KELKOS-it