Dorëzohen në Polici të dyshuarit për vrasjen në Gjilan
Dy të dyshuarit për vrasjen që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024 janë dorëzuar në Polici, të martën, më 12.11.2024.
Policia e Rajonit të Gjilanit ka njoftuar përmes një komunikate se besohet se dorëzimi erdhi pas presionit që Policia ka bërë përmes hetimeve intensive.
“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç ‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)” – thuhet në komunikatë.
Policia njofton se në kuadër të hetimeve hynë analizimi i dhjetëra materiale filmike të kamerave të sigurisë, intervistat, zbatimi i masave të veçanta hetimore e kontrolle të vazhdueshme nëpër lokacione për të cilat paraprakisht siguroheshin informata e janë shfrytëzuar për strehim (fshehje) nga ana e të dyshuarve.
Nga të dyshuarit është konfiskuar edhe një armë zjarri, pistoletë e kalibrit 9mm, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Viktima S.O., i lindur në vitin 1987, mbeti i vrarë në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’ në Gjilan.