
Plagosja me armë zjarri në Mitrovicë të Jugut, 05.10.2024, Foto: KALLXO.com
Dorëzohen në Polici dy të dyshuarit për plagosjen në Mitrovicë të Jugut në tetor 2024
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë vetëdorëzuar dy të dyshuarit për rastin e ‘vrasjes së rëndë në tentativë’, që ndodhi në Mitrovicë të Jugut, më 05.10.2024.
Në këtë rast, kishte mbetur i plagosur një 38-vjeçar. Ndërsa, të dyshuarit janë vetëdorëzuar në Polici, më 14.01.2025.
Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kanë dorëzuar armë me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
“Të dyshuarit pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 15.01.2025.
Policia e kishte cilësuar si ‘vrasje të rëndë në tentativë’ rastin e plagosjes së 38-vjeçarit, më 05.10.2024, në Mitrovicë të Jugut. Kurse, në Raportin e datës 15.01.2025 e ka cilësuar edhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Ilmi Prekazi nga Zyra për media e Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Jugut kishte bërë të ditur për KALLXO.com, më 05.01.2024, se “janë identifikuar të dyshuarit dhe janë në kërkim”.
38-vjeçari i cili mori plagë në këmbë u dërgua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë të Jugut, rreth orës 14:46.