PZAP - Foto: PZAP/Video

Dorëzohen 9 ankesa në PZAP për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve

Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Mulë Desku ka thënë për KALLXO.com se dje në PZAP janë dorëzuar 9 ankesa për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Ankesa në PZAP kanë dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK), Partia e Ashkalive për Integrim (PAI), PREBK dhe Socialdemokratska Unija.

Për këto ankesa, në bazë të procedurave ligjore, do të vendoset brenda afatit prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre ankesave.

Ankesat e dorëzuara në PZAP janë si më poshtë:

1. Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) – për shkak të moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja;

2. Partia e Ashkalive për Integrim (PAI) – ka sjellë tre apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të një kandidatit për shkak të moscertifikimit të tij në listë nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje;

3. PREBK – për shkak të moscertifikimit të një kandidateje nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje;

4. Socialdemokratska Unija – Duda Balje – për shkak të ndodhjes së një kandidateje shqiptare në listën e subjektit të saj;

5. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  (AAK) – për shkak të moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja;

6. Nisma Socialdemokrate (NISMA) – për shkak moscertifikimit të subjektit politik  dhe listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja;

7. Lëvizja Vetëvendosje – për shkak të moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja.

Të premten, në një mbledhje që filloi e u ndërpre disa herë, KQZ certifikoi listat e kandidatëve për deputetë dhe subjektet politike. Por, me shumicë të votave nuk u certifikua lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe nuk u certifikua subjekti politik dhe lista e kandidatëve për deputetë e Nismës Socialdemokrate.

Pas rekomandimit të Zyrës për Certifikim të Partive Politike që duhej të certifikoheshin të gjithë kandidatët për deputetë, përfshirë edhe ata që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë probleme me ligjin, anëtarët e KQZ-së diskutuan e polimizuan në lidhje me këtë propozim.

Në fund u vendos që mos të votoheshin të gjithë kandidatët për deputetë në pako por të votohej secila listë e partive politike veç e veç.

Kjo mënyrë e votimit rezultoi me certifikim të disa listave të kandidatëve për deputetë dhe moscertifikim të listës së kandidatëve për deputetë të LVV-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.