
Mbledhja e komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së, 07.04.2024. Foto; KALLXO.com.
Dorëhiqet njëri nga ekspertët e angazhuar nga Komisioni hetimor për punësimet në MPJD
Edhe pse për tri mbledhje radhazi u zhvillua “fushëbetejë” për të zgjedhur tre ekspertë të pavarur në Komisionin hetimor parlamentar për punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëri prej tyre dha dorëheqje fill pas tri mbledhjeve.
Gëzim Kolgeci, me profesion avokat, ishte një nga tre të përzgjedhurit për ekspertë në këtë komision parlamentar. E, sot gjatë mbledhjes së komisionit tërthorazi u bë e ditur që ai ka dhënë dorëheqje nga puna në këtë komision.
Kolgeci ishte propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërkaq, dy ekspertët tjerë, Shkelqim Jakupi dhe Shpend Shabani, u propozuan nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kallxo.com telefonoi Kolgecin, i cili e pranoi se ka dhënë dorëheqje, por nuk pranoi të tregojë për arsyet, duke ia lënë komisionit të flas për këtë gjë.
Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj (AAK), tha për KALLXO.com që Kolgeci i ka informuar se ka dhënë dorëheqje për çështje personale.
“Neve na ka thënë që ka dhënë dorëheqje për çështje personale dhe se ka angazhime shtesë, udhëtime”- tha Kadrijaj.
Ndërkohë, Kadrijaj tha që edhe pse tanimë kanë mbetur vetëm edhe dy ekspertë, do të vazhdojnë punën me ta.
“Kanë mbet vetëm dy që janë propozuar nga pozita. Por, as me këta që i kanë propozuar vet, nuk po ia pranojnë listat e dëshmitarëve”- tha Kadrijaj, pasiqë në mbledhjen e sotme, më 17.07.2024, pozita nuk pranoi as listën që ka përpiluar opozita e as ekspertët e pavarur.
Në mbledhjen e 06.06.2024, edhe pse Time Kadrijaj, kryetare e Komisionit, njëherë u pajtua që të jenë vetëm dy ekspertë, ashtu siç kërkoi opozita, në fund votoi që të angazhohen tre ekspertë, me arsyetimin “që të arrihet një koncencus”.
“Ju jeni gjithë për me rujt buxhetin, e tash po i lypni tre ekspertë”- i kishte thënë Kadrijaj, në fillim të mbledhjes deputetëve të Grupit parlamentar të LVV-së.
Deputetja Ariana Musliu-Shoshi, e cila këmbënguli që të jenë vetëm dy ekspertë, tha që përderisa propozohen ekspertët nga grupet parlamentare, do të thotë që ata do të kenë ngjyrime politike.
“Sa i përket ekspertëve të pavarur duhet të ketë një konkurs nga Kuvendi. Nëse ne jemi duke propozuar nga një grup parlamentar, normal që ka një pëlqyeshmëri nga partia që e propozon”- deklaroi ajo.
Kësaj deklarate i kishte reaguar deputetja Fitore Pacolli, e cila tha se po i pengon mendësia që ekspertët mund të jenë “aktivistë” të partive politike.“Po më pengon mendësia e deputetes që kur të propozojmë ekspertë duhet të vijnë nga qarqet politike. Na që kemi propozuar nuk janë as aktivistë nga LVV as Lista Guxo, por të pavarur. Ne pajtohemi me ekspertin e LDK-së. Por ti ke sjell anëtarë të PDK-së që flasin me gjuhë të partisë”- tha ajo.
Ndërsa, deputetët e LVV-Lista Guxo dhe ai nga Grupi Multietnik thanë se pajtohen që të jenë tre ekspertë pasiqë kanë arritur pajtueshmëri për një gjë të tillë.
“Nëse e lexojmë rregulloren e shohim që duhet tre deri në pesë emra”- tha deputetja Statovci.
Ekspertët kanë pë detyrë të përcjellin mbledhjet e komisionit, përpilojnë lista dhe në fund të hartojnë një raport.