FOTO: Fadil Spahiu, facebook

Dorëhiqet nga Vetëvendosje asamblisti i Lipjanit

Fadil Spahiu, asamblist në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Spahiu ka njoftuar largimin e tij nga LVV përmes një postimi në rrjetin social Facebook ndërsa ka thënë se do të vazhdojë rrugëtimin politik si asamblist i pavarur.

Ai ka theksuar se brenda LVV-së kohëve të fundit është përballur me situatea aspak demokratike dhe denigruese.

“Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët  e tjerë”, ka shkruar ai.

Spahiu ka qenë pjesë e pozitave drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Lipjan, si nënkryetar i dytë, sekretar organizativ si dhe administrator i qendrës.