Dorëheqja e kryetarit dhe anëtares së Bordit të RTK-së, reagon OSBE-ja

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe anëtares së këtij bordi, Arta Berisha.

OSBE-ja ka përgëzuar Boletinin dhe Berishën për vendimin e marrë në “interes të respektimit të standardeve më të larta gazetareske”.

Në reagim thuhet se emërimi i anëtarëve të rinj të bordit dhe i një drejtori të ri të përgjithshëm duhet të jetë transparent dhe i bazuar qartë në merita.

“Misioni gjithashtu nënvizon rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës për ruajtjen e besimit të publikut në RTK dhe përkushtimin e saj për raportim të paanshëm e të përgjegjshëm mediatik dhe transmetim publik. Tashmë është e domosdoshme që KK [Kuvendi i Kosovës], sapo të mblidhet t’i zgjedhë anëtarët e rinj të bordit të RTK-së me prioritet i lartë, në mënyrë që bordi të funksionojë përsëri. Emërimi i anëtarëve të rinj të bordit dhe i një drejtori të ri të përgjithshëm duhet të jetë transparent dhe i bazuar qartë në merita”- thuhet në reagim.

Kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, ka njoftuar se më 17.08.2024, gjatë mbledhjes së bordit të RTK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së.

Boletini ka thënë se përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.

Dorëheqja e Boletinit nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së vjen pas publikimit të një raporti të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare.

Pas dorëheqjes së Boletinit, më 17.08.2024, dorëheqje ka dhënë edhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha.

Pas kryetarit të bordit të RTK-së, jep dorëheqje edhe anëtarja e bordit, Arta Berisha