Dorëheqja e Isa Mustafës, LDK deklarohet për mbledhjen me kryetarët e degëve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme me kryetarët e degëve të LDK-së këta të fundit janë njoftuaar për ofrimin e dorëheqjes të Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të LDK-së.

Sipas njoftimit të kësaj partie, në mbledhje u diskutua për organizimin e Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së, “i cili duhet mbahet brenda 60 ditëve, si dhe krijimin e trupave  për organizimin e punës së Kuvendit, përfshirë ato për drejtimin e punës së Kuvendit, Komisionit kandidues, atij verifikues etj”

LDK-ja ka theksuar se kryetarët dhe kryesitë e degëve vazhdojnë në mënyrë të rregullt ta kryejnë punën e tyre.

“Pas zgjedhjes së kryetarit te ri të LDK-së, lidershipi i ri merr vendime dhe orientime për forcimin e strukturës dhe organizimit të degëve dhe të organeve tjera të partisë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Dorëheqja e Isa Mustafa nga pozita e kryetarit të LDK-së vjen pasi kjo parti u rendit e treta, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, pas LVV-së dhe PDK-së.