Dorëheqja e ekspertëve për vetting, Ish-Ministrja e Drejtësisë mban nesër konferencë për media

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas dorëheqjes kolektive të ekspertëve nga grupi punues për procesin e vettingut, të formuar në muajin shkurt nga Qeveria Kurti.

Haxhiu ka deklaruar se për këtë çështje do të mbajë nesër konferencë për media.

Sipas njoftimit, konferenca do të mbahen prej orës 13:00 në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të grupit të ekspertëve për propozimim e skenarëve për vetting, jam kontaktuar nga shumë medie për të dhënë qëndrimin tonë. Duke e konsideruar çështje të rëndësishme, ju njoftoj që nesër, në orën 13:00, në zyren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të mbaj konferencë për medie lidhur me këtë çështje”, ka shkruar ish-ministrja në rrjetin social “Facebook”.

Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi, letrën e tyre të dorëheqjes ia kanë dërguar Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi gjatë ditës së sotme.

Sipas tyre, dorëheqja vjen pasi sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.

Gjithashtu, në ketër thuhet se Drejtori i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, Adrian Bajraktari, e ka informuar grupin se ministri i Drejtësisë ka vendosur të themelojë një  një grup të ri punues për t’u miratuar në Qeveri lidhur me hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe procesin e vettingut.

Lidhur më këtë ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi përmes një publikimi në Facebook ka thënë se edhe pse e kanë formuar një grup tjetër, grupi i dorëhequr ka mund t’i bashkëngjitet, por nuk kanë dërguar komente por kanë dhënë dorëheqje publike.

Selimi ka paralajmëruar konferencë për media të premten për të njëjtën arsye.