Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dorëheqja e drejtoreshës së Arsimit në Viti, deklarohen nga MASHTI për pretendimet e saj

Fatbardha Emini para dy ditëve ka njoftuar për dorëheqjen e saj si drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, nën pretendimet se “arsimi nuk është prioritet i këtij vendi”.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë vitit 2022 së bashku me stafin e DKA-së dhe drejtorët e shkollave u angazhuan maksimalisht që të ofrojnë kushte më të mira dhe mbështetje për nxënësit e mësimdhënësit, me qëllim të një arsim më cilësor dhe gjithëpërfshirës, e po ashtu edhe për rend dhe siguri.

“Për kundër kësaj, ishte një vit me shumë kërkesa e me përplot sfida, pothuajse si çdo Komunë në Kosovë. Për fat të keq ende nuk është arsimi prioritet i këtij vendi” – ka thënë ajo.

Specifikisht në njoftimin e saj, tashmë ish drejtoresha kishte folur për një shkollë në një nga fshatrat e Vitisë.

Ajo e kishte cilësuar si të pa arsyeshëm dëmin që po shkaktohet tek nxënësit ku edhe në vitin 2023, sipas saj mësimi në në shkollën “Halil Alidema” në Pozheran do të mbahet me 4 ndërrime.

“Për kundër shumë kërkesave në drejtim të Ministrisë ende zvarritjet po vazhdojnë. E ndjej, të paktën obligim moral, që të mos vazhdoj në një ambient të tillë ku arsimi nuk trajtohet me prioritet” – ka thënë ajo.

Lidhur me këtë deklaratë KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Nga kjo ministri lidhur me dorëheqjen e Eminit është thënë se drejtorët komunalë emërohen dhe shkarkohen nga kryetari i komunës dhe se çështja e dorëheqjes së drejtoreshës së arsimit në Viti nuk ka të bëjë asgjë me Ministrinë e Arsimit.

“Drejtoresha e deritanishme Fatbardha Emini javë më parë na është drejtuar me një shkresë ku ka kërkuar informata në lidhje me shkollën e Pozheranit e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2016. Ne e kemi marrë këtë çështje me prioritet dhe e kemi adresuar menjëherë” – thuhet në përgjigjet e MASHTI.

Sipas këtyre përgjigjeve, këta të fundit janë informuar nga Ministria e Punëve të Brendshme se për shkaqe të procedurave, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka ndërprerë, anuluar këtë projekt më 23 janar 2023 dhe se nga MPB do të iniciohet prapë tenderi që ky objekt shkollor të përfundojë sa më shpejt.

“Sa për informatë, faza e parë e punimeve të objektit të kësaj shkolle ka përfunduar ndërkaq, ka mbetur edhe faza tjetër si: Instalimi i ngrohjes; dritaret; dyshemetë; ngjyrosja dhe punë tjera e që MBP është në proces të inicimit tenderues” – thuhet tutje në përgjigjet e Ministrisë.

Në anën tjetër, një ditë pas dorëheqjes së Eminit, Komuna e Vitisë ka publikuar një letër falënderimi në emër të kryetarit të komunës, Sokol Haliti.

“Si kryetar i komunës së Vitisë dhe ish bashkëpunëtor i juaji dëshiroj të ju falënderoj për punën tuaj që keni bërë ndër vite” – thuhet në këtë letër.

Në këtë letër përmendët edhe çështja e shkollës në Pozheran, për të cilin Haliti ka thënë se bashkërisht kanë ngritur zërin tek niveli qendror për stërzgjatjen dhe mos përfundimin e këtij objekti.

Jep dorëheqje drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë