
Dorëheqja e drejtoreshës për Financa, reagon kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni
Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Herolinda Murati-Leka, më 10.03.2025 ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita, siç ka thënë ajo, për arsye institucionale, etike dhe morale.
Në letrën e dorëheqjes, Murati-Leka ndër të tjera ka pretenduar që persona të pautorizuar dyshohet se kanë hyrë në zyrën e saj.
“Persona të pautorizuar dyshohen se kanë hyrë në zyrën time kur unë nuk kam qenë në ambientet e punës. Ky akt është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentativë për të më treguar se nuk jam e dëshiruar në këtë qeverisje komunale”- ka shkruar Murati-Leka.

Lidhur me ketë çështje, ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka thënë se meqenëse organet e rendit janë të njoftuara dhe po trajtojnë këtë çështje, presin që e vërteta të përcaktohet përmes proceseve ligjore dhe vendimeve përkatëse.
Ai ka thënë se askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë, sipas tij, kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Si kryetar i komunës, siguroj qytetarët se institucioni ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes. Përgjatë javëve të fundit, fokusi im kryesor ka qenë siguria e një menaxhimi të drejtë dhe të përgjegjshëm të buxhetit komunal, i cili tashmë është votuar dhe do të shërbejë për të përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetarëve tanë”- ka thënë ai.
Sipas tij, Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar për të vepruar me integritet, duke garantuar llogaridhënie dhe qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët.
Pas shumë përpjekjesh dhe diskutimesh, Komuna e Gjilanit ka miratuar buxhetin për vitin 2025, me vlerë rreth 40 milionë euro.
Komuna e Gjilanit prej muajit shtator nuk kishte arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025. Kjo pasi partitë opozitare nuk po pajtoheshin me draftin e dërguar nga qeverisja lokale.