Laszlo Trocsanyi (në të djathtë), me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Foto: The Guardian/EPA

'Dora e zgjatur' e Orbanit do ta udhëheqë politikën e zgjerimit në BE

Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar ekipin e saj dhe strukturën e re të Komisionit të ardhshëm Evropian.

Në vend të komisionerit të deritanishëm të BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn është emëruar ish-ministri hungarez i Drejtësisë, Laszlo Trocsanyi.

Ndërsa, Johannes Hahn (Austri) do të jetë përgjegjës për ‘Buxhetin dhe Administratën’, dhe do t’i raportojë direkt presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.

“Si një anëtar me shërbim të gjatë të Kolegjit, ai e di për rëndësinë e rritjes së një administrate moderne”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Lasszlo Trocsanyi është përshkruar si një ekzekutues i dëshirës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ishte ministri i Drejtësisë në Hungari, nga 2014 deri në zgjedhjen e tij në Parlamentin Evropian në maj.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, hungarezi Trocsanyi, si ministër i Drejtësisë, mbikëqyri ligjet që vendosën Hungarinë dhe BE-në në konflikt.

Më tej “The Guardian” e quan një arkitekt të planeve për sistemin e ri të gjykatave të Hungarisë, i kritikuar gjerësisht për kufizimin e kompetencave të gjyqësorit.

Si ministër i drejtësisë, Trócsányi prezantoi një seri ligjesh që shkaktuan konflikte juridike me Komisionin Evropian. Ai mbikëqyri ligjet që kriminalizojnë OJQ-të për ndihmë ndaj refugjatëve dhe për ngritjen e kampeve kontejnerë të Hungarisë për azilkërkuesit, si dhe masat që çuan që Universiteti i Evropës Qendrore të detyrohej të braktiste Budapestin.

KËTU mund të lexoni emrat e të gjithë komisionerëve që janë në ekipin e Ursula von der Leyen.