‘Dora e djathtë’ e Pacollit konfirmon se Bedri Emini u autorizua për lobim
Jetlir Zyberaj, shefi i kabinetit të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në një intervistë në Jeta në Kosovë ka konfirmuar se Bedri Emini u autorizua nga zëvendëskryeministri në detyrë, Pacolli, për të lobuar ndaj shtetësisë së Kosovës.
“Pas kërkesës së tij sepse ai ka insistuar që ta ketë një autorizim. Neve na ka thënë që i kam njohjet, pas insistimit të tija kemi dhënë një autorizim. Me sa kam njohuri ia kemi dhënë autorizimin për Nigeri”, ka deklaruar Jetlir Zyberaj.
Zyberaj ka mohuar se Behgjet Pacolli dhe ministria që ai drejton t’i ketë mbetur borxh Bedri Eminit apo ndonjë shteti afrikan.
“Nuk kam njohuri, nuk e besoj, sepse aq sa e njoh Behgjet Pacollin me një përvojë të madhe në këtë drejtim dhe nuk lejon me i dal jashtë kontrollit këto gjëra”, ka thënë tutje ai.
Emisioni Jeta në Kosovë ka trajtuar temën për diplomacinë kosovare javën e kaluar.
Bedri Emini, një person nga Llapushniku i Drenasit që merret me ndërtime po pretendon se u premtuan dhe u paguan njohjet për shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësim në INTERPOL nga Behgjet Pacolli, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës
Ai thotë se lobimet i bëri por nuk iu përmbushen premtimet nga Pacolli për shpenzimet që bëri.
Bedri Emini është vëllai i Elmi Thaçit, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, nga partia Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit. Mbiemrin nga Thaçi në Emini, ai thotë se bëri më vonë për çështje personale.
Ndiqeni të plotë KËTU emisioin e javës së kaluar.
Më poshtë gjeni të plotë emisionin e fundit