Donjeta Sahatçiu tregon se nga kush e mori ofertën për postin e nënkryetares së Prishtinës

Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, ka thënë se propozimi për postin e nënkryetares i erdhi nga Uran Ismaili.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka qenë dëshmitare e thashethemeve apo proceseve se kandidat të tjerë e kanë synuar këtë pozitë.

“Propozimi për të marrë postin e nënkryetares më ka ardhur nga Urani, procesi nuk ka qenë i lehtë. Nuk jam dëshmitare se mund të ketë pas luftë bërrylash sa i përket kandidatëve potencial për nënkryetar nga ana e PDK-së”, tha Sahatçiu.

Sahatçiu tutje bëri të ditur se me Uran Ismailin njihen prej dy vitesh, duke shtuar se ka marrë pjesë edhe në fushatën për deputet të këtij të fundit.

“Ka më pak se dy vite që e njoh Uran Ismailin, atë e kam ndihmuar edhe vitin e kaluar në fushatën për deputet, kështu edhe jemi njoftuar, pas gjithë kësaj për mua ka qenë e qartë që do e ndihmoja edhe në planin për Prishtinën”, shtoi tutje Sahatçiu.

“Urani e ka kuptuar prej fillimit dëshirën time për të kontribuar dhe kjo ka qenë për mua një shenjë se mund të më japin hapësirën që më nevojitet”, shtoi më tej ajo.

Sahatçiu e cila është nënkryetraja e parë grua e Komunës së Prishtinës tha se nuk ka pasur asnjë kusht për pozitën që ka marrë.

Ajo tha se ka kontribuar në gjithë fushatën e Uran Ismailit për kryetar të kryeqytetit.

“Nuk kam pasur asnjë kusht, e gjitha që kam kërkuar ka qenë a po kuptohet se çfarë përgjegjësie po më jepet. Unë kam qenë pjesë e gjithë planit të definimit për Prishtinën, prej slloganit, llogos e detaje më të vogla të fushatës”, shtoi ajo.

Tutje, ajo theksoi se në fushatë ka kontribuar vullnetarisht, njësoj si për fushatën e ish-kryetarit Shpend Ahmeti në vitin 2013.

“Unë në fushatë kam kontribuar vullnetarisht, nuk jam paguar, ashtu si edhe për Shpend Ahmetin në vitin 2013. Madje, atë kohë më është ofruar edhe një drejtori, por nuk kam pranuar pasi nuk e konsideroja veten të gatshme”, ka thënë Sahatçiu.