Donjeta Sahatçiu emërohet nënkryetare e Prishtinës

Donjeta Sahatçiu është emëruar nënkryetare e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikatë nga PDK-ja.

“Në rolin e nënkryetares së parë grua të Prishtinës, PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun, një profesioniste të dëshmuar për shumë vjet në sferën e menaxhimit, teknologjisë, komunikimit strategjik dhe ngritjen e kapaciteteve”, thuhet në njoftim.

Gjatë të njëjtës konferencë, Uran Ismaili ka prezantuar edhe katër drejtorët nga radhët e PDK-së.

“Ilirik Musliu do të jetë drejtor i shërbimeve publike, drejtore e arsimit do të jetë Besianë Musmurati, drejtor i bujqësisë do të jetë Plator Gërdovci.”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se gjatë ditëve në vijim Ismaili pritet të emëroj edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.