Donika Kadaj- Bujupi tregon pse nuk e votoi qeverinë Hoti

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se nuk e ka votuar qeverinë Hoti pjesë e së cilës është edhe partia e saj për shkak se sipas saj Hoti qëndron në anën e kundër me besimet e saj politike.

“Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore”, ka shkruar ajo në facebook.

Sipas saj në rastin e qeverisë Hoti është anashkaluar Vjosa Osmani e cila kishte kërkuar votën e qytetarëve për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë. Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”, ka shkruar Kadaj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Votohet Qeveria e Avdullah Hotit