Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Donika Gërvalla: Së shpejti do të kemi lajme të mira nga Greqia

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë që Kosova së shpejti do të marrë lajme të mira nga shteti grek.

Në një intervistë të RTK, ministrja Gërvalla nuk dha data se kur do të ndodhë një njohje e mundshme, por theksoi që raportet me këtë shtet janë në rrugë të mirë.

“Me Greqinë jemi në rrugë të mirë për konsolidim të përfaqësimit tonë. Kemi pasur një ngritje të lehtë të këtij përfaqësimi dhe jemi në bisedime e sipër që këtë përfaqësim ta forcojmë dhe konsolidojmë edhe më shumë. Unë nuk mund të them as data, as muaj e as javë, sepse nuk është serioze të flasim për gjëra që mund të ndodhin në të ardhmen duke spekuluar me data se kur mund të ndodhin. Por mund të ju them se jemi në një rrugë tepër të mirë me Greqinë. Së shpejti do të kemi lajme edhe më të mira nga Greqia”, tha Gërvalla në një intervistë në RTK.

Një muaj më parë Kosovën e ka vizituar kryediplomatit grek Nikos Dendias, ndërsa kryeministri Kurti gjatë një vizite të bërë ditëve të fundit në Greqi ka zhvilluar takime me krerë të këtij shteti duke u kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.