Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Donika Gërvalla komenton zgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin “Kallxo Pernime” ka folur edhe për udhëheqësinë e re të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti në të cilën kishte qenë për më shumë se 10 vite.

“Është një hap i mirë drejtë çlirimit të LDK-së. Zotit Abdixhiku vërtet, me sinqeritetin më të madh, i dëshiroj sukses në punën e tij. Konkurrenca vetëm sa e ngjall jetën politike tonën, një konkurrencë fer”, tha ajo.

Sipas saj, puna e mirë e Abdixhikut është në interes jo vetëm të partisë të cilën udhëheq por edhe të vendit.

“Nuk është në interes timin  si subjekt politik që ai me pasë sukses por është në interes të Kosovës që ai të ketë suksese sepse LDK-ja nuk e meriton të jetë shndërruar në një mekanizëm politik i cili nuk është në gjendje të mbledh as një numër të vogël të qytetarëve”, tha ajo.

Më 14 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zgjedhur Lumir Abidxhikun kryetar të partisë.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së Isa Mustafës, i cili u tërhoq nga ky post për shkak të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, LDK-ja u rendit e 3-ta me vetëm 110 mijë 985 vota apo 12,7%.