Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Donika Gërvalla: Kemi premtuar meritokraci, punësimet ilegale të së kaluarës janë shfuqizuar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas letrës së konsullit të shkarkuar, Lulzim Krasniqi, i cili tha se vendimi i Gërvallës është kundërligjor dhe i paprecedent gjatë funksionimit të deritashëm të shërbimit të jashtëm.

Donika Gërvalla ka theksuar se kanë premtuar meritokraci dhe profesionalizëm për punësim në institucione dhe kështu do të jetë.

“Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”, ka shkruar ministrja në profilin e saj në Facebook.

Sipas saj, punësimet ilegale që janë bërë në të kaluarën janë shfuqizuar.

“Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale”, ka shtuar më tej ministrja.

Gërvalla më tej potencoi se nepotizmi e ka dëmtuar rëndë diplomacinë e vendit. Sipas saj, llogaridhënia e meritokracia janë formulë për përfaqësim dinjitoz të vendit.

“Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë. Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit”, ka shkruar Gërvalla.

Gërvalla shkarkon konsullin në New York, Krasniqi: Ministrja më kërkoi largimin e flamurit të UÇK-së nga zyra