Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Donika Gërvalla flet për të ardhmen e Listës Vjosa

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin “Kallxo Pernime” ka thënë që Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit do të regjistrohet si parti në vete dhe nuk do të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nga kjo listë do të rezulton një subjekt i ri politik i qendrës së djathtë. Do ta regjistrojmë, nuk është vetëm  regjistrimi, ne duhet të organizojmë njëherë degët tona dhe pastaj vjen momenti kur bëjmë një mbledhje solemne në Prishtinë, bëjmë zgjedhje”, tha Gërvalla.

Sipas saj, ky proces nuk do të bëhet së shpejti pasi që merr kohë.

“Unë nuk pres që kjo të jetë shumë shpejt, sepse kërkon goxha punë dhe kohë, por nuk e pres në një afat shumë të afërt”, theksoi ajo.

Gërvalla përballë Jeta Xharrës ka folur edhe për mundësinë që ajo të udhëheqë këtë parti.

“Unë mendoj që së bashku me kolegët e tjerë ne do ta udhëheqim këtë listë, se si, qysh, tek, ne kemi vendosur që t’i nënshtrohemi votës së fshehtë. Prandaj asnjëri nga ne që mbetemi pas largimit të Osmanit nuk e përjashtojmë këtë opsion”, shtoi ajo.

Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje janë renditur të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit, me 438 mijë e 335vota apo 50,28 për qind.