Foto: Marco Rubio / facebook
Donald Trump e konfirmon Marco Rubion për Sekretar Shteti
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka konfirmuar të mërkurën në mbrëmje (13.11.2024) se e ka nominuar senatorin republikan të Floridës, Marco Rubio, për Sekretar Shteti gjatë presidencës së tij të ardhshme, ka shkruar në platformën X fituesi i zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Trump e ka përshkruar Rubion si lider që gëzon respekt të madh dhe si “zë të fuqishëm për Lirinë”.
Mediat amerikane kanë raportuar ditë më parë se Trump e kishte përzgjedhur Rubion për kryediplomat të Shteteve të Bashkuara.
Reuters ka raportuar të martën (12.11.2024) se Rubio gjatë viteve të kaluara ka pasur pikëpamje të serta për politikën e jashtme amerikane kundrejt armiqve të gjeopolitikës të Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën. Por agjencia e lajmeve shkruante gjithashtu se “gjatë viteve të fundit ai (Rubio) ka zbutur disa nga qëndrimet për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trumpit”.
“Ai do të jetë një avokat i fuqishëm i Kombit tonë, një mik i vërtetë për aleatët tanë, dhe një luftëtar i patrembur, i cili asnjëherë nuk do të sprapset para armiqësive tona. Mezi pres të punoj me Marcon për ta bërë Amerikën, dhe botën, të sigurt dhe madhështore përsëri!” – ka shkruar Trump, i cili më 2016 e kishte mposhtur Rubion në zgjedhjet paraprake partiake për kandidatin republikan për president.
Rubio do të jetë shefi i parë hispanik i diplomacisë amerikane. Mediat amerikane kanë raportuar gjatë ditëve të kaluara se me këtë vendim Trump synon ndër të tjera ta ruajë votën hispanike, që sipas sondazheve ishte fort e rëndësishme në shtatë shtetet amerikane të fushëbetejës zgjedhore që përcaktuan fitoren e tij kundrejt demokrates Kamala Harris.
Rubio, i cili është i informuar me rrjedhat politike në Europë, përfshirë Ukrainën dhe Ballkanin, ishte përfshirë edhe në zhvillimet politike të Kosovës në raport me fqinjët dhe botën edhe gjatë presidencës së parë të Trumpit kur diskutohej mundësia e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fundnëntorin e vitit 2018, Rubio ishte njëri prej senatorëve me të cilët ishte takuar ish-presidenti Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara, para se Kuvendi i Kosovës në mesdhjetor t’ia jepte FSK-së edhe ligjërisht kompetencat e ushtrisë. Përkrahja amerikane ishte vendimtare për projektligjin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.
Rubio i ka përcjellë raportet ndërkombëtare të Kosovës edhe gjatë presidencës së demokratit Joe Biden, duke qenë anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit. Ai kishte komentuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit në shkurtin e vitit 2021.
“Senatori Rubio duartroket #Izraelin dhe #Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ky është një hap i rëndësishëm për dy vendet, por edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” – do të shkruante Rubio në platformën X më 2 shkurt 2021.
Rubio ishte njëri prej nënshkruesve të letrës të grupit monitorues bipartizan të Senatit që më 21 mars 2022 do t’ia dërgonin presidentit Joe Biden në prag të udhëtimit të tij në Europë.
Kongresistët i kërkonin Bidenit ta mbështeste fuqishëm Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
“Pos kësaj, senatorët i kërkuan presidentit të ruajë fokusin ndaj Ballkanit, ku Rusia kaherë ka luajtur rol destabilizues ndaj vendeve aspiruese që dëshirojnë të anëtarësohen në NATO”.
Ndërkaq gjatë vizitës së Vjosa Osmani në majin e vitit 2023 në Shtetet e Bashkuara, presidentja e Kosovës, në mesin e kongresistëve që do t’i takonte në margjinat e Kongresit, ishte edhe Marco Rubio.
Ajo kishte falënderuar Kongresin për kontributin e jashtëzakonshëm për “fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se një momentum i ri tashmë është arritur për zhvillime të reja në këtë drejtim”.
Trump e ka përshkruar në X Rubion si një luftëtar të vendosur të “Ëndrrës Amerikane”.
“Ai zgjohet përditë i vendosur për ta bërë më të lehtë për ju dhe familjet tuaja ndjekjen e Ëndrrës Amerikane” – ka shkruar Trump, duke e mbyllur konfirmimin me fjalët: “Ai nuk do të ndalet derisa politika amerikane nuk do të qendërsohet edhe një herë në përceptimin e përbashkët dhe qëllimin e përbashkët”.