Donald Trump do ta lansoj rrjetin e vet social pasi iu ndalua qasja në Twitter, Facebook dhe YouTube

Donald Trump e ka bërë publik lajmin për lansimin e rrjetit të tij social pasi qasja e tij u ndalua në janar nga rrjetet sociale Twitter, Facebook dhe YouTube.

Gjigantët e teknologjisë e ndaluan qasjen e Trump nëpër rrjetet sociale pas trazirave të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit, ku ai u akuzua për inkurajim duke përdorur platformat e tij të mediave sociale.

Duke njoftuar lansimin e ardhshëm të platformës së re të quajtur ‘Truth Social’, ish-presidenti Trump deklaroi të mërkurën: “Ne jetojmë në një botë ku talebanët kanë një prani të madhe në Twitter ndërsa presidenti juaj i preferuar amerikan i është mbyllë goja. Kjo është e papranueshme.”

Ai vazhdoi duke shtuar se dëshiron të “ngrihet kundër tiranisë së gjigantëve të teknologjisë” të cilët “kanë përdorur fuqinë e tyre të njëanshme për t’i heshtur zërat kundërshtues në Amerikë”.

Platforma do të jetë në pronësi të Grupit të sapoformuar Trump Media & Technology (TMTG), një strukturë që do të ofrojë gjithashtu një shërbim video-sipas kërkesës si dhe podkaste tjera, thuhet në deklaratë.

Edhe pa Twitter, miliarderi republikan iu kthye shpejt serisë së fushatës që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Nga takimet tek komunikatat, ai mbështet kandidatët që janë besnikë ndaj tij në funksion të zgjedhjeve kryesore afatmesme në nëntor të vitit 2022, me destinacion final drejt vitit 2024.

I privuar nga gjigantët e teknologjisë

Trumpit iu ndalua qasja në Facebook, Twitter dhe YouTube pasi mbështetësit e tij sulmuan në mënyrë të dhunshme ndërtesën në Kapitol gjatë ceremonisë së certifikimit për fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale më 6 janar.

Pesë persona vdiqën gjatë ose menjëherë pas sulmit, përfshirë një zyrtar policie.

Twitter më pas i ndaloi qasjen Donald Trump “pafundësisht për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës”, duke e shkëputur atë nga gati 89 milionë ndjekësit e tij.

I zemëruar që nuk kishte më akces në megafonin e tij të preferuar, ku kishte bërë fushatë në vitin 2016, kishte shpallur një sërë vendimesh të rëndësishme presidenciale si dhe shkarkime të zhurmshme, ish-presidenti kishte premtuar të themelonte një rrjet të vetin social.

Shkurtimisht ai lansoi një blog në muajin maj, i cili në fakt ishte një skedë në faqen e tij të internetit ku u mblodhën njoftimet për media, para se ta mbaronte atë nën talljen e vëzhguesve të bindur se ishte rrjeti social i që premtonte shumë, shkruan euronews.

“Truth Social” do të jetë i disponueshëm si një version beta vetëm me ftesa nga nëntori i vitit 2021, përpara një lansimi të përgjithshëm në tremujorin e parë të vitit 2022, thuhet në deklaratë, duke vënë në dukje se aplikacioni është tashmë i disponueshëm për para-porosi në App Store.

“Ndjehem i emocionuar që së shpejti do të filloj të ndaj idetë e mia në Truth Social”, tha Trump, i cili gjithashtu kishte 35 milionë ndjekës në Facebook dhe 24 milion në Instagram para se t’i ndalohej qasja në këtë rrjet social.

Përgatiti: Nuhi Shala