
Foto: Screenshot video CNN
Donald Trump betohet si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
18:36 – Trump: Epoka e artë e Amerikës nis tani
Donald Trump e ka nisur fjalimin e tij të parë si president, duke iu adresuar ish-presidentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në ceremoninë e inaugurimit, përfshirë ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe ish-presidentin Joe Biden, ka raportuar BBC-ja të hënën (më 20.01.2025) pak minuta pas nisjes së fjalimit.
“Epoka e artë e Amerikës nis tani”, ka thënë ai. “Nga ky moment e tutje, vendi ynë do të lulëzojë dhe të respektohet”.
“Unë thjesht do ta vendos në rend të parë Amerikën”.
Trumpi është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton BBC-ja.
Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane. Ai u betua në dy Bibla – njërën që ia dha nëna dhe Biblën e Lincolnit.
Ajo është përdorur nga disa presidentë të tjerë të mëparshëm – duke përfshirë Abraham Lincoln më 1861.
Trump ka vazhduar fjalimin e tij, duke shtjelluar vizionin për Amerikën.
“Sovranitetin tonë do ta rikthejmë, siguria jonë do të rikthehet, përmasat e drejtësisë do të ribaraspeshohen” – ka thënë ai, duke shtuar se “rrethi vicioz i dhunës dhe armatizimit të padrejtë të Departamentit amerikan të Drejtësisë do të marrë fund” – ka shtuar ai.
“Kryeprioriteti ynë do të jetë krijimi i një vendi që është krenar, prosperues dhe i lirë” – ka thënë presidenti.
Është hera e parë prej viteve 1890 që një president që ka humbur një palë zgjedhje rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si triumfues dhe bën betimin për një tjetër mandat.
Miliarderët e teknologjisë, të emëruarit e kabinetit dhe ish-presidentët ishin në ceremoninë në Kapitol.
JD Vance është betuar i pari, dhe tashmë zyrtarisht është zyrtarisht zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pak minuta para se Trumpi të bënte betimin, Joe Biden fali anëtarët e familjes së tij.
Trump është i vendosur të shpallë “emergjencë kombëtare” në kufirin SHBA-Meksikë, të shpallë kartelet e drogës si terroristë dhe të anulojë programet e diversitetit të qeverisë si pjesë e një valë urdhrash ekzekutivë në orët e ardhshme.
Donald Trump ka deklaruar se Amerika shumë shpejt do të jetë “më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme se kurdoherë”.
Ai ka thënë se do të kthehet në presidencë “konfident dhe optimist” dhe se do të jetë fillimi i “një epoke të re mahnitëse e suksesit kombëtar”.
“Rrezet e diellit po mbulojnë mbarë botën dhe Amerika ka mundësinë të shfrytëzojë këtë mundësi si asnjëherë më parë” – ka shtuar ai./BBC
18:11 – Donald Trump betohet si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Donald Trumpi është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton BBC-ja.
Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane.
Është hera e parë prej viteve 1890 që një president që ka humbur një palë zgjedhje rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si triumfues dhe bën betimin për një tjetër mandat.
Së shpejti pritet të mbajë fjalimin e parë të presidencës së dytë.
16:57 – Momenti kur Trump arrin në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania Trump u pritën në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden në një takim pa praninë e medias.
“Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha zoti Biden presidentit të zgjedhur Donald Trump, raporton Zëri i Amerikës.
Donald Trump do të inaugurohet sot (20.01.2025) si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Inaugurimi – ceremonia zyrtare që shënon fundin e kohës së një presidenti në detyrë dhe fillimin e administratës së pasardhësit – është pjesa e tranzicionit të pushtetit midis udhëheqësve të qeverisë në Uashington DC, raporton BBC.
Temperaturat e ulëta këtë vit do t’i zhvendosin ngjarjet në ambiente të mbyllura, me Trumpin dhe zëvendëspresidentin e sapozgjedhur JD Vance të vendosur për të bërë betimin e tyre në ndërtesën e Kapitol Rotunda të SHBA-së.
Në prag të kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump premtoi se do të nënshkruante një sërë urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë si president, duke u thënë mbështetësve se do të lëvizte me “shpejtësi dhe forcë historike” në orët pas dhënies së betimit.